Haradinaj: Së shpejti aktivisti më i dalluar i LDK-së do t’i bashkohet AAK-së

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka njoftuar se partisë së tij po i bashkohet një aktivist i njohur nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ai përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se sot është takuar për kafe me aktivistin e LDK-së, Fazli Kastratin, të cilin ai e ka cilësuar si njërin ndër aktivistët më të dalluar të kësaj partiee në komunën e Malishevës.

“Së shpejti do t’i bashkojmë rrugët tona”, ka shkruar Haradinaj, në llogarinë e tij, në rrjetin social Facebook, në internet.

“Respekt për Fazli Kastratin dhe shokët e tij që vendosën të rrugëtojmë bashkë. Të mërkurën në ora 20:00 do ketë edhe informata tjera”, ka thënë më tej ai.

“Fazliu së bashku me rrethin e tij për plot 29 vite i qëndroi besnik frymës Rugoviane. Respekt e na priftë e mbara”, përfundon njoftimi i Haradinajt.