Kosova aplikon për sigurimin e vaksinës anti-COVID

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka nënshkruar sot aplikimin zyrtar për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19 në aleancën globale GAVI-COVAX, derisa aplikimin për asistencë teknike lidhur me këto vaksina Zemaj thotë ta kenë bërë ditë më parë, përmes Ekipit të ekspertëve, i themeluar nga ana e tij me qëllim të sigurimit të kësaj vaksine.

Sipas tij, aplikimi zyrtar në GAVI-COVAX nuk do të thotë se Kosova nuk do të shfrytëzojë edhe rrugë të tjera për të siguruar vaksina shtesë, sipas nevojës, përtej shifrës së 20% të vaksinave që do të merren falas (ose rreth 360 mijë vaksina) nga COVAX-i, meqë synimi është që të imunizohen kategoritë më të ekspozuara dhe të rrezikuara nga COVID-19.

“Synimi ynë është t’i vaksinojmë grupet e popullatës që janë më të ekspozuara dhe më të rrezikuara nga COVID-19, siç janë nëpunësit shëndetësorë, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, personali i shërbimeve të angazhuara në menaxhimin e situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19…, por pa e përjashtuar asnjë kategori që duhet të vaksinohet kundër COVID-19, duke përmbushur obligimin ligjor.

Të vetëdijshëm se sigurimi i vaksinave përbën një obligim për ruajtjen e shëndetit publik të popullatës, Ministria e Shëndetësisë qysh para disa muajve kishte vendosur kontakte me GAVI-COVAX, me qëllim që të sigurojmë vaksinën për qytetarët tanë. Për fat të mirë, Kosova është e listuar në mesin e shteteve që 20% të vaksinës kundër COVID-19 do ta marrin falas përmes aleancës globale GAVI-COVAX, derisa pjesën tjetër do ta blejë vetë”, tha Zemaj në një postim në “Facebook”.