Në komunën e Klinës ka nisur zyrtarisht fushata e korrje-shirjeve për këtë vit dhe lajmet janë të mira!
Plot 4,500 hektarë me grurë janë mbjellë këtë sezon, dhe rendimentet, sipas fermerëve, janë më të kënaqshme se vitet e kaluara.
Kryetari i komunës, Zenun Elezaj, bashkë me drejtorin e Bujqësisë, Lorenc Marleku, kanë vizituar sot fshatin Gllarevë, ku janë takuar me fermerët Mehmet dhe Brahim Mehmetaj dy bujq të palodhshëm që kanë vite që e ushqejnë vendin me mundin e tyre.
“Është një kënaqësi të shohësh nga afër rezultatet e punës së ndershme të bujqve tanë. Rendimentet janë të mira dhe për këtë merita u takon atyre që çdo ditë janë në arë”, – tha Elezaj gjatë vizitës.
Fermerët shprehën nevojën për më shumë përkrahje, dhe kryetari i siguroi se komuna ka në plan projekte konkrete për të lehtësuar punën dhe për të rritur prodhimtarinë.
Me fillimin e korrjeve dhe parashikimet pozitive për prodhimin, Klinës i buzëqesh sezoni i grurit.