Kontrabandistët rihapin rrugën ilegale ne veri, suspendohen katër policë kufitar

Një rrugë ilegale, e cila ditëve te fundit u mbyll me zhavorr nga Policia e Kosovës është rrafshuar nga një makineri e cila dyshohet se kishte ardhur nga Serbia.

Për këtë ngjarje janë suspenduar katër zyrtarë policorë kufitar.

Ngjarja ka ndodhur në Leposaviq.

Sipas KALLXO.com zyrtarët policorë kishin lëshuar pikën të cilën e kishin për detyrë ta mbikëqyrnin dhe gjatë kohës sa ata janë larguar një buldozer dyshohet se është afruar dhe ka rregulluar rrugën e groposur.

IPK sipas një njoftimi ka thënë se të njëjtit po dyshohet se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit.

Ata nuk kanë qëndruar në pikën e caktuar për mbikëqyrje pas aksionit të bllokimit të rrugëve ilegale në disa zona te ndryshme përfshirë edhe zonën e Veriut të Kosovës.

Ditë më parë Policia e Kosovës me kërkesë të Doganës së Kosovës ka bllokuar disa rrugë të cilat janë shfrytëzuar për kontrabandë e veprimtari ilegale.

Në të njëjtën pikë do të dërgohen sërish ekipe policore me makineri të rënda për ta bërë bllokimin e rrugës.