Konfirmohen tre mungesa të mëdha për Kosovën për dy ndeshjet e muajit shtator

Ditën e sotme ka filluar grumbullimi i Përfaqësueses së Kosovës për dy ndeshjet e muajit shtator.

Dardanët do të zhvillojnë takimin e parë në udhëtim te Irlanda e Veriut më 24 shtator derisa atë të kthimit tri ditë më vonë në Prishtinë.

Përzgjedhësi i Kosovës, Alain Giresse ditë më parë publikoi listën me 26 futbollistë të ftuar për këto dy ndeshje.

Por fundjava që sapo lamë pas nuk ka qenë aspak pozitive për tre futbollistët e Kosovës.

Tre futbollistët e Kosovës, Mërgim Vojvoda, Leart Paqarada dhe Shkëlqim Vladi kanë pësuar lëndime dhe nuk do t’i bashkohen Dardanëve.

Këtë e ka konfirmuar për Telegrafin drejtori i Përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Sahiti.

Fatkeqësisht tre futbollistë nga lista e publikuar ditë më parë nuk do të na bashkohen në këtë grumbullim”.

“Leart Paqarada, Mërgim Vojvoda dhe Shkëlqim Vladi kanë pësuar lëndime dhe nuk do të jenë në gjendje të grumbullohen për dy ndeshjet e muajit shtator”, deklaroi Sahiti.

Të tre lojtarët kanë pësuar lëndime me klubet e tyre gjatë ndeshjeve në fundjavë dhe nuk mund të luajnë për dy apo tri javë”, tha Sahiti.

Këta tre futbollistë edhe mund të zëvendësohen dhe këtë e ka në dorë përzgjedhësi Alain Giresse.

“Kanë qenë 26 futbollistë të ftuar dhe tani janë 23, ka mundësi që zëvendësohen. Trajneri Alain Giresse e ka në dorë këtë dhe gjithçka do të zbuloj nesër në konferencën për shtyp”, tha Sahiti.