Konferenca vazhdoi me sesionin e katërt diskutimit “Personat e zhvendosur me forcë dhe refugjatët gjatë luftës në Kosovë”.

Sesioni u moderua nga Arjeta Gashi-Gara, e cila udhëhoqi diskutimin me një qasje të qartë dhe të argumentuar.

Naim Ismajli, i mbijetuar i masakrës së Kralanit, rrëfeu përvojën e tij. Ai u largua nga rreshti i ekzekutimit, ndërsa në vend të tij u vendos babai i tij, Sheremet Ismajli, që mbeti i zhdukur deri në prill të 2025. U evidentua gjithashtu dhuna dhe sakrifica gjatë zhvendosjes së dhunshme drejt Shqipërisë.

Në këtë sesion të diskutimit, Arbnor Tolaj solli përjetimet e tij personale lidhur me dhunën dhe persekutimin sistematik të familjes së tij para dhe gjatë periudhës së luftës. Ai dokumentoi gjithashtu gjetjen e trupit të babait të tij në oborrin e shtëpisë pas përfundimit të luftës.

Sesioni u përmbyll me rrëfimin e Kumrije Karaqices, e cila tregoi përvojën e saj gjatë luftës e zhvendosjen me dhunë brenda vendit. Ajo rrëfeu dhunën fizike të shkaktuara nga forcat serbe gjatë muajit të gjashtë të shtatzënisë, vrasjen e bashkëshortit dhe vëllait të saj nëntë vjeçar. Ky rrëfim shfaqi ndikimet afatgjata të traumës dhe nënvizoi rëndësinë e dokumentimit të kujtesës kolektive.

Diskutimi përfshiu gjithashtu aspekte që lidhen me dokumentimin e këtyre përvojave, si dhe ndikimin e tyre në kujtesën kolektive dhe në studimet mbi pasojat humanitare të luftës.