Komuna e Malishevës deri në vitin 2026 pritet të ketë probleme me rrymë gjatë dimrit

Me ardhjen e dimrit në Komunën e Malishevës fillojnë edhe reduktimet e rrepta të energjisë elektrike. Kjo gjë po përsëritet çdo vit.

Situata pa rrymë kur temperaturat janë të ulëta ka shkaktuar irritim në komunën që numëron mbi 54 mijë banorë.

Ekrem Kastrati, kryetar i Komunës së Malishevës, ka treguar për Gazetën Express se qytetarët e kësaj komune janë tejet të dëshpëruar dhe mllefosur.

”Po dëmtohen bizneset, ekonomitë familjare janë në gjendje të vështirë. Është një kaos i vërtetë në qytet“, tha Kastrati teksa rrëfente se janë bërë nëntë ditë që kur terri mbuloi Malishevën me rrethinë.

Problemi është specifik në këtë komunë – nuk ka investime në infrastrukturën energjetike, rrjedhimisht kur gjatë dimrit rritet konsumi atëherë nuk mund të mbulohet nevoja për energjinë.

”Reduktimet janë të paplanifikuara, varësisht prej fshatit“, thotë Kastrati.

Kryetari që tashmë ka mbushur një vit në qeverisje tregon se problemi është te mungesa e një nënstacioni me 110 kV.

“Komuna e Malishevës ka dërguar kërkesë në Ministrinë e Ekonomisë, por nuk kanë arritur të lidhin kontratë me ndërtuesin”, tregon Kastrati.

Ministria e Ekonomisë që drejtohet nga Artane Rizvanolli në një përgjigje për Gazetën Express i largon përgjegjësitë nga vetja.

“Ministria e Ekonomisë e ka ngritë këtë çështje tek menaxhmenti i lartë në KEDS dhe KOSTT dhe jemi në pritje të zgjidhjes nga profesionistët e KOSTT-it dhe KEDS-it”, thuhet në përgjigje.

Edhe KEDS e ka vënë në pah problemin e mungesës së këtij nënstacioni.

Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS’it i ka thënë Gazetës Express se ka mbingarkesë në rrjet dhe rrjedhimisht mungesa e nënstacionit është duke rezultuar me këtë situatë.

“Ditet e fundit ka pase prishje ne lartpërçuesin 35 kV. Ne e kemi sanuar, por eshte prishur serish dhe ekipet jane atje duke e rregulluar serish. Keto po ndodhin nga mingakresat, per çka ne e kemi njoftuar vazhdimisht opinionin. Ndryshe, çeshtja e Malisheves është e ditur“, ka thënë Buzhala. ”Kjo nuk mund te rregullohet pa u ndertuar nenstacioni 110 kV, pasi per kete komune mungojne komplet asetet transmetive qe nuk jane ne kompetence te KEDS’it. Pikerisht nga mungesa e linjave të Tensionit te Larte po krijohen edhe mbingakresa ne Tension të Mesëm dhe po shkaktohen prishje. Por, pse mungojnë këto linja dhe kur do të ndertohen ju lutem drejtojuni KOSTT’it“.

Ndërkaq, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë ( KOSTT )  e ka përmendur vitin 2026 si kohë kur parashihet të ndërtohet nënstacioni, poqë për dallim nga Komuna e Malishevës, KOSST thotë se do të jetë 220 kV.

E për vonesën e këtij projekti, sipas KOSTT problem ka qenë mungesa e komisionit në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

”Shpallja e procedurës së hapur të tenderimit për projektin Ndërtimi i Nënstacionit të Ri -AIS 220/35/10(20)kV Malisheva me linjën përcjellëse 220kV’’ është bërë në vitin 2020 dhe ka qenë në proces, por për shkak të procedurës ankimore pranë Organit Shqyrtues të Prokurimit, i cili nuk ka pasur bord, projekti është vonuar dhe pritet të iniciohet procedurë tenderuese përsëri në vitin 2023“, thuhet në përgjigjen dhënë për Gazetës Express.

Kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati, ka thënë se komuna e ka ndarë edhe tokën ku do të ndërtohet nënstacioni.

Bëhet fjalë për 8500m2  në fshatin Dragobil të ndarë nga komuna.

Por e sigurta është se edhe minimalisht edhe tre dimra të tjerë Malishevën do ta gjejnë në errësirë. /Express