Hoxha e prifti votojnë së bashku në balotazh në Klinë

Banorë të besimit islam dhe të krishterë jetojnë në harmoni fetare në qytetin e Klinës.

Një shembull të mirë të kësaj bashkëjetese fetare e kanë përcjellë edhe prifti Lorenc Sopi e imami Blerim Musliu.

Si shumë shpesh gjatë vitit, ata kanë pirë kafe së bashku para se t’u drejtoheshin kutive të votimit.

Rrugës për te qendra e votimit në shkollën “Fehmi Agani”, ata kanë treguar që në ditë të veçanta çdoherë shkëmbejnë vizita me njëri-tjetrit e madje dhe organizojnë aktivitete të ndryshme.

Të qenurit pjesë e besimeve të ndryshme në një qytet, kur të lidhin shumë gjëra, është ndjenjë interesante, për shkak se ti e ndjen dhe bashkëndjen momente të rëndësishme”, ka thënë imami Blerim Musliu.

Pasi që kanë votuar në të njëjtën shkollë, ata kanë përcjellë mesazhe që liderët e ardhshëm t’u përmbahen përgjegjësive që kanë marrë.

“Jemi një popull me dy besime ku mund të mësojmë nga njëri-tjetri gjëra të mira, por mbi të gjitha kemi një kulturë, një gjuhë, një traditë, një bashkjetesë, që nuk mund ta mendojmë ndryshe përpos që të jemi bashkë”, deklaroi prifti Sopi.

Dita e zgjedhjeve në balotazh, ashtu sikurse edhe ato më 17 tetor në këtë qytet, ka kaluar pa ndonjë parregullsi të madhe.