42 vjet nga vrasja e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës

Sot shënohet 42-vjetori i vrasjes së veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka, si veprimtarë të shquar të çështjes kombëtare, u vranë nga shërbimi sekret jugosllav 42 vjet më parë në Shtutgart të Gjermanisë. As pas katër dekadave, vrasja e tre veprimtarëve shqiptarë nuk është zbardhur.

Për vrasjen e tyre ende nuk është hetuar ose dënuar askush.

Në vitin 2017 Suzana Gërvalla, bashkëshortja e veprimtarit Jusuf Gërvalla, kishte njoftuar se shteti gjerman kishte riaktivizuar hetimet për vrasjen e Jusufit.

Atentati mbi dy vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka kishte ndodhur në Gjermani, teksa nga autoritet shtetërore gjermane ishte lajmëruar se vrasës të panjohur kanë vrarë tre jugosllavë dhe se ky ishte kulminacion i ri në luftën e fshehtë në të cilën agjentët e sigurimit jugosllav dhe kundërshtarët e pushtetit po luftonin mes tyre.

Gazeta gjermane “Der Spiegel” më 25 janar të vitit 1982 për motivin e krimit do të shkruante se identifikimi i shpejtë i viktimave e ka sqaruar edhe motivin dhe drejtimin politik të tyre: “Jugosllavë në ekzil që i takonin kombësisë shqiptare nga provinca e Kosovës, në jug të shtetit ballkanik dhe që të tre veprimtarë kundër qeverisjes së Beogradit” do të shkruhej në artikull.