Komuna e Klinës do të paguajë udhëtimin e nxënësve për në shkollë

Komuna e Klinës do të paguajë udhëtimin e nxënësve të shkollave fillore

Komuna e Klinës do të fillojë të bëjë pagesat për udhëtimin e nxënësve për në shkollë, projekt ky i cili do të realizohet gjatë periudhës tre vjeçare dhe që ka një kosto prej 64 507 euro, të cilat do të paguhen nga buxheti komunal.

Kryetari Elezaj ka theksuar se realizimi i këtij projekti është bërë si rezultat i kërkesave të shumta të qytetarëve dhe me qëllim që të krijohet një lehtësi financiare për prindërit, veçanërisht ata me kushte jo të mira financiare.

Pagesat për udhëtimin e nxënësve do të bëhet për këto linja të udhëtimit:

– Relacioni Klinë
Klinafc – Klinë, Gjurgjevik i Vogël – Klinë
– Relacioni Zllakuqan
Kosh – Zllakuqan, Radulloc – Zllakuqan, Krushevë e Madhe – Zllakuqan
– Relacioni Shtupel
Lagja e Bajakës – Shtupel
– Relacioni Gremnik
Qupevë e Ulët – Gremnik, Qupevë e Lartë – Volljakë
– Relacioni Drenoc
Dugajevë – Drenoc, Poterq i Ulët – Drenoc
– Relacioni Gremnik
Qeskovë – Këpuz, Rastokë – Këpuz, Bokshiq – Grabanicë, Dollovë – Grabanicë
– Relacioni Ujmirë
Shtaricë – Ujmirë, Doberdol – Ujmirë

Drejtoria e Arsimit njofton se përzgjedhja e linjave është bërë duke u bazuar në kërkesat e qytetarëve, të cilat, pas shqyrtimit nga komisioni, janë miratuar nga Kuvendi i Komunës.

Po ashtu, përzgjedhja e linjave është bërë duke u bazuar në Ligjin për Arsimin Parauniversitar, që përcakton se komuna duhet të sigurojë udhëtimin falas për nxënësit e shkollave fillore që e kanë objektin shkollor në një distancë më larg se 4 kilometra.

Komuna e Klinës, përkatësisht Drejtoria e Arsimit, do të shqyrtojë të gjitha kërkesat nga qytetarët për sigurimin e udhëtimit falas për të gjithë nxënësit e shkollave fillore dhe do të shqyrtojë mundësitë që në vitet e ardhshme një projekt i ngjashëm të realizohet edhe në linja tjera të udhëtimit.