Komuna e Klinës binjakëzohet me Komunën Quinto di Treviso të Italisë

Komuna e Klinës ka nënshkruar një marrëveshje binjakëzimi me Komunën Quinto di Treviso nga Italia, në një seancë solemne të Kuvendit Komunal të mbajtur sot në Klinë.

Ceremonia u zhvillua në prani të kryetarit të Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, kryesuesit të Kuvendit Fadil Gashi, anëtarëve të kuvendit, përfaqësuesve të komunitetit fetar, qytetarëve dhe mysafirëve nga Italia, përfshirë edhe kryetarin e Quinto di Treviso, z. Ivano Durigon.

Në fjalën e tij, kryetari Elezaj tha se ky binjakëzim është një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të partneriteteve ndërkombëtare që sjellin përfitime konkrete për qytetarët.

“Ky moment shënon një dëshmi të fuqishme të miqësisë së mirë dhe të marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet dy komunave tona, si dhe konfirmon vullnetin e përbashkët për të bashkëpunuar në fusha të ndryshme si zhvillimi ekonomik, arsimi, kultura, rinia, sporti, shëndetësia dhe mirëqenia e qytetarëve tanë.”

Gjatë ceremonisë, u vlerësua lartë roli i komunitetit shqiptar në Itali – veçanërisht i bashkëqytetarëve nga Klina – për kontributin e tyre në ndërtimin e kësaj lidhjeje ndërkomunale.

“Ky binjakëzim nuk do të ishte i mundur pa angazhimin dhe përkushtimin e komunitetit shqiptar në Itali, e veçanërisht të bashkëqytetarëve tanë nga Klina që jetojnë dhe veprojnë atje. Ata kanë arritur suksese të mëdha në biznes dhe fusha të tjera, duke qenë ambasadorë të denjë të vlerave dhe kulturës sonë.

Tutje, Elezaj tha se marrëveshja e sotme shënon fillimin e një kapitulli të ri në marrëdhëniet tona – një kapitull të ndërtuar mbi partneritet, solidaritet dhe rezultate konkrete për të mirën e qytetarëve tanë.

Binjakëzimi i Klinës me Quinto di Treviso pritet të sjellë bashkëpunim të ndërsjellë në fusha si zhvillimi ekonomik, arsimi, kultura, rinia dhe shëndetësia.

Komuna e Klinës konsideron këtë marrëveshje si fillimin e një kapitulli të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe si një mundësi për të sjellë projekte konkrete në dobi të qytetarëve të saj.