Klina do të ketë objekt të ri të Emergjencës, mbështetje nga Islamic Care Society i Kuvajtit

Klina pritet të bëhet së shpejti me një objekt të ri të Emergjencës, falë mbështetjes financiare nga Islamic Care Society i Kuvajtit. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, i cili ka pritur sot përfaqësuesit e kësaj organizate humanitare.

Në takim morën pjesë drejtoresha e projekteve znj. Feride Alruhajis, sekretarja permanente znj. Ashvak Alarade, dhe drejtori i “Qëndresa Kosovare”, z. Islam Cakaj, si dhe drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Klinë, Agron Bacaj.

“Nga përfaqësueset e organizatës nga Kuvajti morëm konfirmimin për mbështetje financiare në ndërtimin e objektit të ri të emergjencës së qytetit, projekt i cili do të nisë shumë shpejt”, ka deklaruar Elezaj.

Gjatë takimit u diskutua edhe për mundësitë e tjera të bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale. Kryetari theksoi edhe rëndësinë e ndërtimit të Qendrës Rehabilituese për persona me nevoja të veçanta, për të cilën përfaqësuesit nga Kuvajti dhanë zotimin se do të angazhohen në sigurimin e buxhetit dhe realizimin e projektit në të ardhmen.

“Ky është një hap i madh për shëndetësinë dhe mirëqenien e qytetarëve të Klinës”, u shpreh Elezaj.