Zhduket një 25-vjeçare nga Krusha e Madhe, policia kërkon ndihmën e qytetarëve për të gjetur

Prishtinë – Policia e Kosovës njofton se më 14 nëntor, familja e ka raportuar Dorentina Gashi Spahiun si të zhdukur që nga 9 nëntori i këtij viti.

Sipas Policisë, 25-vjeçarja është nga fshati Krushë e Madhe e Rahovecit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Më 9 nëntor, rreth orës 02:00 ajo është larguar pa asnjë paralajmërim nga shtëpia e saj e banimit në Lagjen Arbanë dhe deri në këto momente nuk ka asnjë informatë lidhur me fatin dhe vendndodhjen e saj”, thuhet në njoftim.

Tutje sipas Policisë, me qëllim që vendndodhja e viktimës të zbulohet sa më parë, nga ana e Prokurorit të Shtetit është lëshuar autorizim për publikimin e fotografisë se viktimës së rastit.

Policia ka kërkuar bashkëpunim nga të gjithë qytetarët, që nëse e shohin personin e njëjtë apo dinë diçka për vendndodhjen e saj, të raportojnë Policinë Rajonale në Prizren apo në cilindo stacion të Policisë në Kosovë./