Konferenca e KQZ-së: Kaq është përqindja e qytetarëve që kanë votuar në Veri deri në 11:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur konferencën e dytë për sot, ku është bërë e ditur përqindja e qytetarëve që kanë votuar deri para rreth një ore.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, procesi zgjedhor është duke shkuar në rregull dhe pa asnjë pengesë deri tani.

“Sipas të dhënave, pjesëmarrja e qytetarëve deri në orën 11:00 është si në vijim:

Leposaviq: 28 votues, 0.21 %

Zubin Potok: 65 votues, 1%

Zveçan: 29 votues, 0.41%

Mitrovicë e Veriut: 191 votues, 1.05 %”, thai Elezi.

Zgjedhjet e parakohshme lokale po mbahen sot në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi kontejnerë nëpër rrugët kryesore në veri, që do të shërbejnë si qendra votimi. Policia e Kosovës tha se ka marrë të gjitha masat për një mjedis të sigurt gjatë procesit zgjedhor.

Në garë janë dhjetë kandidatë, prej të cilëve vetëm një nga komuniteti serb. Ajo është Sllagjana Pantoviq, kandidate e pavarur për kryetare të Komunës së Zveçanit.

Ndërsa Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk merr pjesë në zgjedhje dhe u bëri thirrje qytetarëve serbë që ta bojkotojnë procesin. Thirrje të ngjashme bëri edhe Beogradi zyrtar.

Komunat në veri mbetën pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.