Këta janë grupi të arrestuar gjatë aksionit ku u kapën 12 kg drogë

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, gjatë ditës së djeshme ja zhvilluar një operacion policor, në kuadër të aksioneve të mëhershme kundër drogës. Bastisjet janë kryer në disa lokacione, në Klinë, Fushë Kosovë dhe Gjakovë, me ç’rast janë kapur 12 kg marihuanë dhe janë arrestuar gjashtë persona, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se gjatë operacionit të koduar si “Guri” kanë rënë në prangat e Policisë Burim Aliaj, Ilir Pantina, Isuf Hasanaj, Naim Hasanaj, Bujar Pantina dhe Egzon Hasanaj, të cilët kanë qenë objekt hetimi.

Gjatë këtij aksioni, përveç drogës janë sekuestruar edhe rreth 3500 euro, 12.700 lekë (paratë dyshohet se janë përfituar nga vepra penale) dhe tri vetura me të cilat është bërë bartja e lëndës narkotike.

Gjatë kontrolleve të kryera nga ana e Policisë, në njërin nga lokacionet, një i dyshuar, në tentim për të ikur ka kërcyer nga një lartësi e shtëpisë dhe ka pësuar lëndime. I njëjti është dërguar për tretman mjekësor.

Kujtojmë se në këtë operacion dhe në tri të mëhershmet janë konfiskuar në total 48 kg substancë, që të jetë e llojit marihuanë dhe vlera e të cilës është rreth 70 mijë euro.

Të arrestuarit deri më sot në këto raste janë gjithsej nëntë persona që dyshohet se kanë vepruar si grup kriminal që është marrë me ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge’.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.