Kapen në flagrancë 2 persona te Dheu i Bardhë, po tentonin të kontrabandojnë 9 kosovarë në shtetet e Perëndimit

Qytetarët e Kosovës në shumë raste zgjedhin rrugët ilegale për të emigruar në vendet e Bashkimit Evropian. Ata paguajnë shuma të majme parash te persona të cilët merren me kontrabandim migrantësh, që në mënyrë të kundërligjshme të hyjnë brenda territoreve të shteteve të Evropës.

Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë rreth orës 23:40 në pikën kufitare te Dheu i Bardhë, ku është kapur një grup i personave nga Kaçaniku, Ferizaj, Gjakova, Prizreni dhe Shtërpca, të cilët kishin marrë rrugët ilegale për të dalë në Evropë.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se në këtë grup ishin edhe tre fëmijë të moshave 4-13-vjeç.

Në kuadër të veprimeve hetimore, pas mesnatës është arritur që të arrestohen edhe dy personat të cilët kishin për qëllim që t’i kontrabandonin nëntë personat në fjalë.

Të gjithë ata janë shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Ndaj dy të dyshuarve është iniciuar rasti nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kontrabandim me migrantë’.