Kapen 182 kg drogë në zonën kufitare me Serbinë, arrestohen dy persona

Policia e Kosovës mbrëmjen e shkuar ka gjetur dhe sekuestruar 182 kilogramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë në zonën kufitare me Serbinë.

Përmes një komunikate për media, Policia njofton se janë arrestuar dy persona të dyshuar, teksa vlera e drogës së kapur dyshohet të jetë rreth 400 mijë euro.

“Me datën 24.10.2023 rreth orës 21:35, pas informacioneve të shkëmbyera nga Njësia e Task Forcës e Policisë Kufitare – Lindje me Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në zonën kufitare RKS/SRB është ndaluar vetura e dyshuar me targa vendore e cila pas kontrollimit nga njësitë policore tek e njëjta është gjetur sasi e dyshuar e narkotikëve të llojit marihuanë e cila dyshohet se ishte duke u transportuar nga Serbia për në Republikën e Kosovës.

Lidhur me rastin janë ndërmarrë menjëherë veprime hetimore, ku në konsultim me prokurorin kujdestar janë arrestuar dy të dyshuar shtetas kosovarë, Y.H. (1998) dhe D.H. (1990), për transportim me narkotikë si dhe janë sekuestruar narkotikë në sasi prej 182 kg. të llojit marihuanë, ku vlera e kësaj substance narkotike në treg dyshohet të jetë rreth 400.000 (katërqind mijë) euro“.

Si prova materiale relevante për rastin janë sekuestruar një veturë dhe një kombi me targa vendore të cilat janë përdorur në rast si dhe dy telefona celularë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.