Jarinja dhe Bërnjaku vazhdojnë të jenë të mbyllura, vendimi për pajisjen me dokumentin hyrje-dalje po zbatohet

Rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak – po vazhdojnë të jenë të mbyllura për qarkullim nga barrikadat e vendosura nga serbët lokal, të cilët po kundërshtojnë dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi zyrtar të Policisë së Kosovës, teksa thuhet se vendimi për pajisje me dokumentin për hyrje-dalje të qytetarëve që posedojnë dokument personal identifikimi të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të cilët paraqiten për kalim të kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës, ka filluar të zbatohet në nivel vendi.

Policia njofton tutje se dje në katër raste ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore si dhe në një rast është dëgjuar të ketë ndodhur një detonim, por fatmirësisht pa ndonjë të lënduar.

Njoftimi i policisë:

Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe autorizimeve ligjore po vazhdon angazhimet e saj në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, zbatimin e vendimeve të institucioneve të RKS-së, si dhe ndërmarrjen e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në Veri të Mitrovicës.

Vendimi për pajisje me dokumentin për hyrje-dalje të qytetarëve që posedojnë dokument personal identifikimi të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të cilët paraqiten për kalim të kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës, ka filluar të zbatohet në nivel vendi.

Dy pikat kufitare Jarinje dhe Bernjak vazhdojnë të mbesin të mbyllura për qarkullim, për shkak të vazhdimit të bllokimit të rrugëve në drejtim të këtyre dy pikë kalimeve kufitare, të cilat janë bërë me mjete të rënda nga persona/grupe të organizuara kriminale.

Informacionet zyrtare konfirmojnë se dje, më 31.07.2022 pas bllokimit të rrugëve në Veri të Mitrovicës, në katër raste ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore si dhe në një rast është dëgjuar të ketë ndodhur një detonim. Fatmirësisht nuk raportohet për ndonjë qytetar apo zyrtar policorë të plagosur nga arma e zjarrit.

Deri më tani janë raportuar katër raste ku qytetarët shqiptarë të cilët kanë qarkulluar në atë pjesë janë ndaluar dhe maltretuar, duke iu shkaktuar lëndime dhe shkaktim të dëmeve materiale në automjetet e tyre, nga ana e personave të dyshuar të cilët dyshohet se janë pjesë e organizimeve të bllokimit të rrugëve.

Policia e Kosovës të gjitha veprimet e mëtejme do ti ndërmerre në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.