Incident në Rigjevë të Klinës, tre policë pezullohen pas të shtënave me armë në lokal!

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës, pas një incidenti që ka ndodhur dje në një lokal në fshatin Rigjevë të Komunës së Klinës.

Sipas njoftimit të IPK-së, hetuesit kanë nisur veprimet hetimore në bazë të autorizimeve ligjore të institucionit, ndërsa nga të gjeturat fillestare dyshohet se dy zyrtarë policorë kanë shtënë me armë, e cila dyshohet të mos ketë qenë armë zyrtare. Ata janë nën hetim për veprën penale “Përdorim i armës”.

Njoftimi i plotë:

Komunikatë për media

IPK rekomandoi suspendimin për tre zyrtarë policorë

Prishtinë/ Klinë, 01 nëntor 2025

Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tre zyrtarëve policorë .
Hetuesit e IPK-së kanë filluar të ndërmarrin veprime hetimore bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së kurse incidenti raportohet të ketë ndodhur dje në një lokal në fshatin Rigjevë të Komunës së Klinës.

Nga hetimet e deritanishme të IPK-së dyshohet, se dy zyrtarët policorë kanë shtënë me armë që dyshohet të mos jetë armë zyrtare (në bazë të provave të gjetura në vendngjarje) dhe të njëjtit janë të dyshuar për veprën penale “Përdorim i armës”.

Lidhur me rastin e njëjtë hetuesit e IPK-së kanë rekomanduar suspendimin edhe të një rreshteri policor të Stacionit Policor të Klinës pasi që i njëjti në cilësinë e pronarit të lokalit me veprimet e tij ka penguar hetimin zyrtar të IPK-së, duke ndikuar në zhvillimin e procedurave dhe mbledhjen e provave në vendin e ngjarjes dhe me këtë rast i njëjti është i dyshuar për veprën penale “Dhënia e ndihmës pas veprës penale”.

Hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorinë kompetente do të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.