I riu në Istog ofendon dhe kundërshton të gjobitet në trafik, arrestohet nga Policia

Zyrtarët policorë shpesh herë janë cak i sharjeve e ofendimeve nga qytetarët, të cilët ka raste kur eskalojnë edhe në kërcënime e sulme fizike. Në këtë mënyrë ata përballen me vështirësi gjatë kryerjes së detyrave zyrtare e shpesh u rrezikohet edhe jeta,

Një rast i tillë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në fshatin Gurrakoc të Istogut, ku një i ri dyshohet se ka hasur në telashe me Policinë.

Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur për shkak të një gjobe në trafik ndaj 22-vjeçarit i cili kishte shkelur rregullat në komunikacion.

I dyshuari i ishte drejtuar zyrtarit policor me britma e ofendime, duke kërkuar nga ai që mos ta gjobisë, gjë e cila bëri që të arrestohet menjëherë.

22-vjeçari u shoqërua në stacion policor për intervistim ku u përgjigj në pyetjet e hetuesve në prani të avokatit të tij mbrojtës.

Me urdhër te prokurorit atij i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.