Pranuan ftesën zyrtare për takim me Kurtin, Klinaku: Do të qëndrojmë këtu deri të ndërpritet seanca

Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë duke vazhduar të qëndrojnë para Kuvendit të Kosovës.

Para pak minutave, ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku deklaroi se janë ftuar zyrtarisht në takimin e kryeministri, Albin Kurti, ministrin të Financave, Hekuran Murati dhe përfaqësuesve të Komisionit për Buxhet dhe Financa.

Njëra nga këshilltaret e kryeministri Kurti i ka dorëzuar ftesën për dialog përfaqësuesit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku.

E morëm ftesën për takim nesër në ora 09:00. Kjo ishte kërkesë e jona sepse takimeve nuk i kemi ikur asnjëherë. Por ne kemi kërkuar që të ndërpritet seanca plenare derisa të merret një vendim zyrtar”, tha Klinaku.

Ai ka shtuar se do të vazhdojnë të qëndrojnë në oborrin e Kuvendit, derisa të anulohet krejtësisht seanca e Kuvendit për sot.

“Kërkesa jonë qysh në mëngjes ka qenë që të ndërpritet seanca dhe të mos mbahet asnjë seancë derisa të ulemi e të bisedojmë e ta kthejmë ligjin në vend ku ka qenë do të qëndrojmë këtu, këta duhet ta ndërprenë seancën e sotme”, tha Klinaku.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se po ndërpren udhëtimin për në Maqedoninë e Veriut dhe pjesëmarrjen në Forumin e Prespës, që t’i pres në takim veteranët e UÇK-së.