I mbijetuari i masakrës së Reçakut rrëfen tmerrin e 15 janarit

I mbijetuari i masakrës së Reçakut, Aziz Beqiri, jeton me kujtimet e pamjet e tmerrshme të 15 janarit të vitit 1999. Ai ka rrëfyer për ditën kur u vranë 45 civilë shqiptarë.

“Ju kanë hequr zemrën dhe mushkërinë”, shprehet ai derisa tregon se si kishte parë trupat e fëmijëve, grave, e pleqve ne “Kodrën e Bebushit”.

Ai kujton mëngjesin e 15 janarit dhe thotë se atë çfarë i kanë parë sytë është një tmerr.

“15 janari ka qenë një tmerr i madh për katundin tonë, është bërë masakër e paparë me sy dhe neve edhe para kësaj date janë munduar të na provokojnë e kanë tentuar të hyjnë, kanë plagosur civilë, mirëpo më 15 janar kanë vrarë 45 civilë. Rreth orës 06:45 na kanë rrethuar, kanë pas një armëpushim pasi ka qenë Ramazan dhe tre ditë para Bajramit, në natën e madhe ndodhi kjo. Kanë vrarë në çdo lagje. Kur na kanë rrethuar neve, kanë hyrë në stacionin e policisë në njërën anë dhe kanë hyrë në çdo lagje duke ushtruar dhunë, kemi njerëz që ju kanë hequr edhe zemrën e mushkëritë”, tregon ai.

Po atë ditë, Azizi thekson se nuk e dinin saktë se sa është numri i të vrarëve në Reçak dhe bashkë me të mbijetuarit e tjerë kishin shkuar në mal. Ai rrëfen se si panë trupat e masakruar.

“Në ditën e parë ne i kemi lajmëruar si të kidnapuar 17 të vrarë, 13 të plagosur, sepse nuk kemi qenë në dijeni çfarë është bërë, nuk kishte dëshmi çfarë ka ndodhur, secili ishin strehuar nëpër vende që të shpëtojnë. Më pas, me datën 16 janar kemi dalë me shiku në mal mos ka të plagosur, mos ka nevojë ndokush për ndihmë, pra kemi qenë rreth pesë persona që kemi dalë të shikojmë terrenin, dhe kur jemi dal një shok i imi ka qenë para meje dhe i kam thënë nëse takohesh me ata ma bëjë me dije. Ai më ka thirr dhe e kam pyet nëse ka diçka, e më tha që këtu i paskan vra të gjithë. Kam shkuar tek ata dhe i kam thënë shokut t’ia marrim shënimet e t’i lajmërojmë tek ai që ka qenë për informim, Fehmi Mujota. I morëm emrat, ka pas njerëz prej katundit tim që edhe nuk i kam njohur siç i kishin masakruar duke i lënë pa sy e pa zemër, ka pas edhe pa kokë”, tregon Azizi. “Gjithë ditën ka pas vëzhgues, gazetarë e diplomantë. Më pas erdh një pëlqim një katund që t’i tubojmë kufomat në xhami me 16 dhe t’i varrosim me datën 17”.

Ai kërkon drejtësi për të gjithë banorët e fshatit, të cilën u vranë mizorisht 24 vjet më parë.

“Mos të mendojë edhe BE-ja dhe ndërkombëtarët që është demokratizuar kryetari i Serbisë që sot mundohet të gënjejë për ambasadorin William Walker, mirëpo gjendjen reale e ka treguar ky dhe këtë e quajmë hero dhe është njeri me vlerë për ne”, thotë ai.

24 vjet më parë në fshatin Reçak u vranë e masakruan mbi 40 banorë. Një ditë më pas, ambasadori William Walker kishte deklaruar publikisht se është krim kundër njerëzimit dhe gjenocid, u rrëfye ai për KP