Hetimet për sulmin në veri mund të zgjasin deri në tre vjet

Prokuroria Speciale e Kosovës bëri të ditur se po i vazhdon hetimet për sulmin në Banjskë, por pa dhënë detaje se në çfarë faze janë këto hetime.

Edhe Serbia është deklaruar se po e heton këtë rast, por nuk dihet nëse palët janë duke bashkëpunuar për ndriçimin e plotë të rrethanave të sulmit.

Ministria e Drejtësisë nuk bëri të ditur nëse është kërkuar bashkëpunim nga Serbia, por tha se institucionet janë duke punuar në këtë rast.

“Për shkak të ndjeshmërisë së rastit, nuk mund të japim detaje. E rëndësishme që institucionet po punojnë dhe do t’i kryejnë obligimet e tyre sipas legjislacionit”.

Profesori i së drejtës penale, Ismet Saliu thotë për Rtv21 se hetimet për sulmin në Banjskë janë mjaft komplekse dhe se ato duhet të bëhen në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, por edhe me Serbinë.

“Hetimet veç kane vazhduar dhe do te vazhdojnë. Hetimet për këtë krim që është të kryer ne Banjskë janë mjaft komplekse dhe duhet te bëhen ne bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar por gjithsesi duhet të bashkëpunoj në ndriçimin e këtij akti terrorist ndaj sigurisë dhe integritetit territorial edhe me pushtetin e Serbisë, Policinë, Prokurorinë e Gjykatat e Serbisë. Edhe pse Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur nuk ka kurrfarë pengesash ka mënyra të ndryshme të bashkëpunimit por mendoj se në lidhje me këtë duhet të angazhohet edhe EUROPOL-i edhe INTERPOL-i. Sa u përket hetimeve, këtu duhet të angazhohen ekspertët më të mirë që i kemi lëmin e drejtësisë ..ndaj personave të dyshuar në bazë të provave duhet të fillojë procedura penale pranë gjykatave tona….”.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ndërkaq thotë se hetimet për sulmin në Banjskë mund të zgjasin deri në tre vjet. Sipas tij, faktori ndërkombëtar duhet t’i bëjë presion Serbisë që të bashkëpunojë me Kosovën.

Në bazë të kodit të procedurës penale prokurori ka tri vite për të zhvilluar hetime brenda këtij afati i njëjti duhet të ngrit aktakuzë … Duhet t’i jepet kohë prokurorit që të bëjë një hetim kualitativ në mënyrë që aktakuzën ta bëjë në mënyrë profesionale. Në një shtet normal pritjet legjitime do të ishin që e njëjta të bashkëpunojë me Kosovën. BE-ja do të duhej ta obligonte Serbinë të bashkëpunojë me Kosovën dhe të mos marr vendime sikuse në Banjskë.”

Në kohën kur hetimet për sulmin terrorist në Banjksë po vazhdojnë, Millan Radoiçiq, i cili mori përgjegjësinë për organizimin e këtij sulmi, vazhdon të jetë i lirë në Serbi

Bashkëbiseduesit Salihu e Miftaraj vlerësojnë se Kosova duhet të lëshojë fletarrest ndërkombëtar për Radoiçiqin, teksa theksojnë se kryesit e sulmit të Banjskës mund të dënohen edhe me burgim të përjetshëm.

“Kosova mundet dhe duhet të lëshojë fletarrest për arrestimin e Radoiçiqit dhe këtë fletarrest duhet t’ua dorëzojë edhe ndërkombëtarëve EUROPOL-it. Si person i dyshuar për atë çka ka ndodh në Banjskë. Dënimet janë të ndryshme por në rastet kur një akt terrorist rezulton edhe me vrasjen e personit siç ka ndodh vrasja e togerit tonë dënimi është së paku 10-25 vjet ose i përjetshëm”.

Kosova edhe pse nuk është pjesë e Interpolit përmes UNMIK-ut çdoherë ka lëshuar fletarreste edhe në rastin konkret prokurori i Shtetit duhet të bëjë kërkesë dhe të iniciojë lëshimin e fletarrestit ndërkombëtarë….Në bazë të veprave që dyshohet që i kanë kry dhe në bazë asaj çfarë prokuroria është duke ndjekur dënimi mund të shkojë deri në burgim të përjetshëm”.

Kosova e ka akuzuar Serbinë për sulmin terrorist në Banjskë. Serbia, në anën tjetër, ka mohuar të ketë qenë e përfshirë në sulmin e 24 shtatorit.