Goditi për vdekje një këmbësor para 3 vitesh, gjykata ia cakton një muaj arrest shtëpiak

Gjykata Themelore në Ferizaj ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S.R për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “rrezikim i trafikut publik”.

Sipas njoftimit, të pandehurit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaj.

Ai me datë 24 janar 2018 në rrugën Ferizaj – Prishtinë, kishte goditur një këmbësor me veturë i cili si pasojë e plagëve të marra kishte ndërruar jetë.

“Gjyqtari i procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 24.01.2018, në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë, duke drejtuar automjetin e tij, nga pakujdesia dhe në kundërshtim me nenin 53 të Ligjit mbi Rregullat e Trafikut Rrugor, ka rrezikuar jetën e njerëzve dhe pasurinë e tyre, në atë mënyrë që duke mos përshtatur shpejtësinë e lëvizjes, kushteve dhe gjendjes së rrugës, dhe duke mos i kushtuar kujdes këmbësorit që ishte duke lëvizur nga ana e majtë për në anën e djathë në drejtim të lëvizjes së automjetit, tani të ndjerin N.P. e hedh mbi automjet dhe këmbësori përplaset në rrugë me ç’ rast nga plagët e marruara në vendin e ngjarjes mjeku ka konstatuar vdekjen e tij”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Gjykatës

SHARE