GJYSMËSHEKULLI I “JEHONËS SË DUKAGJINIT” NË KLINË

Shkruan
Prend BUZHALA:

Para 50 vjetësh nis veprimtarinë e saj kulturore Shtëpia e Kulturës “Jehona e Dukagjinit” në Klinë.

1.
Sikundër dihet, pas vitit 1966, kur bue nga pushteti klika ranoviçiste serbomadhe-komuniste, e rrëzuar nga Tito -klika slloveno-kroate dhe kreu i shtetit e i komunizmit jugosllav; Kosova përjeton kohë më të mira. Sado që ende rrathët e organeve të sigurimit nuk ishin çliruar, megjithatë ndjehet një frymë më liberale dhe Kosova përjeton një renesancë të vërtetë arsimore, kulturore, shoqërore e ekonomike e deri diku edhe politike (autonomia gjysmake e vitit 1974, pas demonstratave studentore të vitit 1968 për Republikë, kur edhe në Klinë në maj 1968 ndodh një tubim i tillë masiv i shpalosjes së Flamurit kombëtar, deri atëherë i ndaluar). Kështu në Klinë, menjëherë më 1967, nis ndërtimi i objektit të Shtëpisë së kulturës “Jehona e Dukagjinit”. Ishte drejtori i vitit 1969 kur u mor Vendimi p.lr themelimin e Shtëpisë së Kulturës “Jehona e Dukagjinit”, kurse veprimtarinë e vet të mirëfilltë kjo qendër kulture e nis gjatë vitit 1970. Pikërisht para 50-vjetësh. Më 1968 nis punën gjimnazi i Klinës, fillimisht paralele e gjimnazit të Pejës e pas një viti, më 1970, pavarësohet me emrin Gjimnazi “Luigj Gurakuqi”. Klina bëhet me disa krahë të fortë. Nis hapja e punishteve, ndërmarrjeve bujqësore e ekonomike, tregtare e tj, nis puna në disa fabrika…
Dhe pikërisht një vit pas rënies së Rankoviqit, më 1967, në Kosovë po fillonte një emancipim i vërtetë nacional, arsimor, politik e kulturor,pra një Renesancë a Rilindje Kombëtare. Dhe brezat e rinj atëbotë po shfaqnin një etje të madhe për kulturë e për ta njohur vetveten, historinë e qenien kombëtare, aq të anatemuara e të ndaluara, mbasi rrathët rankoviçistë po pëlcisnin para zhvillimeve të reja e lëvizjeve të reja atdhetare në këto hapësira, ani se regjimi shtypës politik po vazhdonte në forma të tjera.

2.
Por kësaj radhe, po fokusohemi te 50-vjetorii Shtëpisë së Kulturës “Jehona e Dukagjinit”.
Përse “Jehona e Dukagjinit”?
Sikundër dihet, regjimi serbe ende vazhdonte ta quante Kosovës Kosova e Metohia. Me Metohia Serbia e quante Dukagjinin, me pretekstin se ky rrafsh ishte pasuri e tokave të kishave serbe. Madje edhe stacioni i trenit mbante këtë emër, Metohia. Inteligjencia e re e kulturës, në bashkëveprim me krahun përparimtar politik shqiptar (se kishte edhe një krah shqipfolësish proserb në jetën politike), vendos që t’i shfyrtëzojë këto rrethana të volitshme emancipuese, dhe kjo vatër kulture e merr emrin “Jehona e Dukagjinit”.
Kësisoj, më 1969, përpos hapjes së gjimnazit, Klina përjetoi edhe një ngjarje tjetër të gëzuar, siç ishte themelimi i Shtëpisë së Kulturës “Jehona e Dukagjinit”, dhe ku këtyre proceseve në kulturë iu priu Osman R. Gashi, duke i vënë edhe emrin që e ka sot, sado që serbët nuk pajtoheshin me emërtimin Dukagjin, sepse, sipas tyre, ishte emër shqiptaromadh, që përfshinte jo vetëm gjysmën e Kosovës si rajon, por edhe krahina të tëra në Shqipërinë veriore dhe, si i tillë, emërtimi kishte përcaktim të fortë nacional për kohën që godoste vatrën serbomadhe të sundimit kulturor. ishin dashamirës të kulturës e të artit ata që menjëherë themeluan jo vetëm SHK “Jehona e Dukagjinit”, por edhe shoqëri të tjera kulturo-artistike, për ta zhvilluar jetën kulturore këndej në lëmit e muzikës, folklorit, artit dramatik, artit figurativ, letra etj dhe duke organizuar dhe aftësimin e instrumentalistëve të rinj. Formohen sesionet e këngëve dhe valleve, popullore, ato të dramës, folklorit, piktorëve, recituesve, instrumentalistëve dhe formohet edhe Klubi letrar. Më vonë do të formohen dhe sesioni i korit muzikor, sesioni i rapsodëve.
Zhvillohen veprimtari jo vetëm në Klinë, por edhe jashtë Klinës, për aq e aq dekada, nëpër të gjitha viset e Kosovës, Jugosllavisë, madje edhe në Shqipëri e në vende të Evropës Europerëndimore. Jeta kulturore po çonte përpara afirmimin e vlerave kulturore, po afirmonte dashurinë ndaj punës dhe artit, ndaj vlerave atdhetare e historike, po përhapte artin dhe kulturën dhe merrte pjesë nëpër manifestimet anekënd Kosovës e jashtë saj.

3.
shte Osman R. Gashi që, në krye të intelektualëve të kohës, mori iniciativën për emërtimin e kësaj shtëpie kulture dhe u bë drejtori i saj i parë në nivel komunal. Kjo qendër kulture themeloi seksionet e veta në artin muzikor, valle, letërsi, pastaj grupet e recitatorëve, piktoreve e sidomos një veprimtari të suksesshme realizoi grupi teatror.
Në këto fusha kulture, arti klinas shkëlqeu në nivel Kosove e jashtë Kosovës, deri në shtete tjera.
Pikërisht me insistimin e iniciativën e Osman R. Gashit, më 1970, në komunën e Klinës gjatë atyre dekadave, u zhvilluan dhe u mbajtën një varg manifestimesh vjetore, si Rivista Kulturore e Majit, e cila mbahej për një javë rresht, me karakter garues të shkollave e shoqatave kulturo-artistike, e ku shfaqeshin programe muzikore, folklorike, shfaqeshin pjesë teatrale, shpërbleheshin punimet më të mira letrare sipas një konkursi letrar etj.
Më 1970 Osman R. Gashi nisi ta botonte revistën letrare e kulturore “Jehona e Dukgjinit” në Klinë.
Qenë organizuar dhe Solemnitetet Fshatare të Kosovës, që nisin diku ë 1971, në të cilin merrnin pjesë grupe nga të gjitha fushat etno-kulturore jo vetëm nga Kosova, por edhe nga rajonet tjera ish-jugosllave jashtë Kosovës, e ku jepeshin shfaqje teatrore, programe muzikore e folklorike, organizoheshin lojëra popullore, ekspozime me vlera etnografike etj. meset fshatare që manifestonin në këto SOLEMNITETE, sillnin traditën burimore muzikore e kulturore, ishin mese që ruanin letërsinë gojore, traditat e veshjes, vallëzimin, tingujt muzikorë, instrumentet burimore muzikore, dhe ende e organizonin mënyrën popullore e patriarkale të jetesës, si kulturë mbizotëruese tradicionale,…”
Ndërsa Mikel Gojani, edhe vetë veprimtar kulture I asaj kohe, shënon: “Do të mbetën në kujtesë shfaqjet “Plaku i maleve”, “Nita”, “Shtatë shaljanët”, “Me pushkë e penë”, “Mulliri i Kostë Bardhit”, “Hamalli”, “Të pamposhturit” etj. La shumë vepra të botuara dhe në dorëshkrim. Edhe në fushën e pikturës ka lënë vepra të çmuara.”
Kurse për veprimtarinë muzikore, Ismet Krasniqi shënon: “Në lëmin e muzikës kontribut të veçantë në fillim të viteve `70-ta në organizim dhe me këngën e tij në skenë ka dha Vesel Zeka, i cili në atë kohë punonte profesor i lëndës edukata muzikore në gjimnazin “ Luigj Gurakuqi” në Klinë kam pasur fatin që edhe unë shkruesi i kiti shkrimi të jem nxënës i Veselit. Në vitet `70-ta SHKA “Jehona e Dukagjinit” ishte shumë aktive në kuadër të cilës funksiononte muzika popullore, folklorike, grupi i valleve dhe orkestra me vegla instrumentale popullore si dhe sektori i dramës. Vesel Zeka ishte shumë i dalluar në ekzekutimin e violinës ndërsa zëri i tije në këngë ishte karakteristik dhe shumë i pëlqyer nga publiku.”

4.
Ishte fillimi i vitit 1970 kur Klina themeloi një Klub letrar me emrin “Jehona e Dukagjinit”. Aso kohe isha gjimnazist dhe botoja shkrime te “Rilindja”, “Pionieri” etj, së bashku me gjimnazistët Gjon Gjergjaj e Selman Gashi. Meqë edhe Shtëpia e Kulturës, e themeluar më 24 dhjetor 1969 mori emrin “Jehona e Dukagjinit”, edhe klubi mori këtë emër. Përpos orëve letrare që nisi ky Klub, nisi me njëherë botimin e revistës “Jehona e Dukagjinit”, pjesë e redaksisë së të cilës isha edhe unë.
Fillimisht, në Kryesinë e Klubit letrar “Jehona e Dukagjinit”, ishin Tahir Foniqi, Jetish Kadishani, Prend Buzhala, Osman R. Gashi, kurse anëtarë të tjerë ishin të rinj gjimnazistë. Tashmë kanë shkuar në amshim emrat e Tahir Foniqit, Jetish Kadishanit e Osman R. Gashit, të cilët, sa qenë gjallë, ishin emra të njohur të kulturës, institucioneve dhe të letrave shqipe,
Në muajt prill-maj të vitit 1970, po me punën e palodhshme të Osman R. Gashit, nis botimin e saj revista e Klubit letrar me emrin “Jehona e Dukagjinit”, e cila, siç thoshte drejtuesi i saj, ishte organ i Shtëpisë së Kulturës , e hapur për penat e saj. Dhe vërtet rreth vetes tuboi pena, të cilat më vonë u bënë emra të njohur të letërsisë sonë. Revista herë mbas here prezantonte grupet letrare të Kosovës, dhe ato të komunës, si grupet letrare të Kijevës, Sferkës,, Carrallkuës, të Ujëmirit, Sferkës, Drenocit, Zllkakuqanit, Grabanicës etj.
Klubi ka vazhduar punën e tij deri më 1990. Gjatë viteve ’80, për një dekadë rresht, kryetar i Klubit ka qenë Gjon Gjergjaj, por revista u rrëmbye nga krerët komunistë dhe drejtohej nga ata për qëllime politike dhe emrat e letrarëve u larguan nga revista.
Gjon Gjergjaj tani është drejtues i Klubit të Shkrimtarëve “Vorea Ujko” (i themeluar më 1993, meqë ish drejtues komunistë të kësaj vatre kulture, reaguan që të mos punonim me atë emër, edhe pse Serbia i kishte pushtuar ambientet kulturore, atëherë në kushte okupimi, si rezistencë e kulturë paralele, themeluam KL “Vorea Ujko”). Pas luftës, më 1999, emërtimi “Jehona e Dukagjinit” i rikthtehet kulturës, si institucion komunal dhe e ruan këtë emër edhe objekti komunal i kulturës, në kuadrin e të cilës vepronin edhe Biblioteka Publike dhe seksionet tjera.
5.
Nga shënimet e Ismet Krasniqi Lala për teatrin:
“Shtëpia e Kulturës “Jehona e Dukagjinit” u themelua më 9 shtator 1969, ndërsa më 24 dhjetor po të këti viti mori emrin ‘Jehona e DukagjinitÇ. Sektori i Teatrit Amator funksiononte në kuadër të Shtëpisë së Kulturës, nga themelimi më 1969, me regjin e Osman R. Gashit, kur së abshku me gjimnazisët përgatiti dramën ‘Plaku i Maleve’ dhe e shfaqi para publikut më 20 prill 1970 në ditën e gjimnazit ‘Luigj Gurakuqi’. Sektori i Teatrit realisht funksionon 50 vjet.
Puna e pa lodhshme që e beri Osman dhe veprën që na la e ka bërë të pa vdekshëm. Osman R. Gashi qysh kur ishte nxënës i shkollës së mesme thoshte se Klina duhet ta ketë një shtëpi të Kulturës, por asnjëherë nuk i shkoj mendja se aji do të jetë drejtori i pare i asaj shtëpie të kulturës, kjo kërkesë e ti u realizua me 21 nëntor 1969 për here të pare filloi punën shtëpia e kulturës në Klinë në krye me drejtorin Osman R. Gashi, me angazhimin e vet Osmani e në bashkëpunim të ngushtë me shumë shok të tij arriti që me 24. dhjetor të vitit 1969 kuvendi komunal I asaj kohe ta shqyrtoi kërkesën për emërimin e shtëpisë së kulturës. Po në këtë vit u themelu SHKA “Jehona e Dukagjinit” drejtor i parë artistik u emërua Vesel Zeka, u formua edhe klubi i piktorëve dhe Klubi letrar “Jehona e Dukagjinit”…..në vjeshtën e vitit 1971 u themelua Festivali “Solemnitetet e Fshatrave të Kosovës”……
Kësaj radhe u ndala vetëm te disa të dhëna të përcipta, pa hyrë te emrat që i dhanë shumë Klinës. Dhe secili prej tyre është emër që kapërceu kufijtë komunalë dhe u bënë të njohur anembanë trojeve etnike.

(Prend Buzhala, maj 2020)

SHARE