Gjendet i vdekur roja i ‘Eko Regjionit’ në Malishevë, mjeku konstaton vdekjen

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të shtunën në zyrat e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave ‘Eko Regjioni’, Njësia në Malishevë, ku një punëtor është gjetur pa shenja jete në zyrën e tij. Vdekjen e tij e ka konstatuar mjeku, teksa tashmë kanë nisur hetimet,

Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije për Sinjalin se bëhet fjalë për Jahir Begajn, i cili punonte si roje në këtë kompani.

Posa rasti është denoncuar, në vendin e ngjarjes ka dalë ekipi mjekësor, ku pas ekzaminimeve për shenjat vitale, u konstatua se viktima ka ndërruar jetë.

Në anën tjetër, Policia ka marrë informacionet e para lidhur me rastin dhe më pas me urdhër të Prokurorit të Shtetit trupi i pajetë është tërhequr për t’u dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Për vdekjen e tij kanë njoftuar edhe miqtë e familjarët.