Fillon testimi i futbollistëve të Superligës për ‘Covid-19’, ky është klubi i parë që përfundoi testet!

Ka filluar edhe zyrtarisht testimi i futbollistëve të Superligës për ‘Covid-19’. Ashtu siç kishte paralajmëruar Federata e Futbollit e Kosovës, e cila në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë do të testojnë të gjithë klubet e Superligës.

Gazeta “Sheshi” mëson ekskluzivisht se testimi i klubeve të Superligës ka filluar nga data 22 maj, derisa Sport Club “Gjilani”, ishte skuadra e parë që i’u nënshtrua këtyre testeve.

Futbollistët, stafi teknik dhe personeli i këtij klubi i’u nënshtruan testeve për ‘Covid-19’ pranë Institutit të Shëndetësisë Publike në Gjilan, derisa siç mëson Gazeta “Sheshi” të gjithë kanë rezultuar negativ.

FC Drita dhe FC Llapi do të jenë dy klubet e radhës që do t’i nënshtrohen këtyre testeve, ndërkohë që klubet tjera janë në përpilim të listës dhe të pritjes për t’i kryer ato.

Testet për futbollistët, stafin teknik dhe personelin e klubeve do të bëhen edhe në javën e ardhshme, derisa do të përfundojë përpara se të nisin ndeshjet e gjysmëfinales së DigitAlb Kupës.

Kujtojmë që ndeshjet e gjysmëfinales së DigitAlb Kupës do të zhvillohen më dy dhe tre qershor, ndërkohë vazhdimi i kampionatit elitar do të nis më 7 qershor