Fati i keq i pacientëve me kancer që po trajtohen në Kosovë, detyrohen ta blejnë një ilaç 3 mijë euro

Për një muaj në Kosovë mesatarisht diagnostikohen 122 raste të reja me kancer. Ndërkohë vec për pesë muajt e parë të këtij viti, në vend janë shfaqur 611 raste të reja me këtë sëmundje. Por në vendin ton, kostoja për shërimin e kancerit llogaritet të jetë mjaftë e lartë. Në Onkologjinë e QKUK-së mungojnë disa nga ilaçet për trajtimin e saj. E veç një ilaç i cili po ashtu mundon në QKUK- pacientët e blejnë deri në 3000 euro. Si i tillë, ky ilaç gjendet me vështirësi edhe në tregun kosovar.

Ka disa muaj që është diagnostikuar me kancer të prostatës. Por trajtimi për 60-vjecarin nga Prishtina, A.Fejza nuk po del të jetë i lehtë. Krahas vështirësive që i janë shfaqur atij nga sëmundja kohëve të fundit, ky pacient po ballafaqohet edhe me vështirësi në sigurimin e ilaçeve që do t’i ndihmonin atij ta luftojë më lehtë sëmundjen.

Bëhet fjalë për tabletata ‘Zytiga’, të cilat tash e një muaj janë mungesë në Klinikën e Onkologjisë së QKUK-së.

E të njejtat vështirë se mund të gjenden edhe në treg. Por edhe po të gjendeshin, çmimi i tyre është marramendës.

“Po na thonë qe ka mungesa të mëdha të këtij ilaçi në Onkologji. Ju lutem, bisedoni me ta, të kenë pak presion ndoshta i sigurojnë. Kam lypë në krejt Kosovën e s’kam gjet”, thotë ky pacient për Nacionalen.

Për mungesën e këtij ilavi ka folur par Nacionalen edhe drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ardian Millaku.

Millaku është shprehur se ‘Zytigën’ qe disa kohë e kanë marrë si donacion. Por ka një muaj që ky ilac mundon si pasojë e përfundimit të donacionit.

‘Për momentin ka pas donacion e tash s’ka. Ato që i kemi pas janë shfrytëzua. Tash kemi mbetur pa to që gati një muaj. Po presim donacion edhe pse këto ilaçe nuk janë në listë esenciale por janë shumë të mira për prostatën”, thotë drejtori.

Ai shpjegon edhe për ecurinë se si planifikojnë që ta sigurojnë këtë ilaç.

“Kërkesë kemi ba me na e sjellë. Është ilaç i mirë që përdorët për pacientët që kanë kancer të prostatës. Për donacionin po presim. Kemi disa mungesa të ilaçeve por me furnizim qëndrojmë mirë”, shpjegon drejtori i Onkologjisë.

E shifrat me rastet e reja të paraqitura me kancer në Kosovë po dalin të jenë shqetësuese. Sipas drejtuesve të Klinikës së Onkologjisë, në pesë mujorin e parë të këtij viti në të gjithë Kosovën, janë diagnostikuar 611 raste të reja me kancer e të cilët po trajtohen në Klinikën e Onkologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Sipas të dhënave të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, kanceri i gjirit dominon, me 176 raste, ndërsa janë regjistruar 143 raste me kancer urogjenital.

“Në saje të raportit të punës për periudhën janar-maj 2022, janë regjistruar 176 raste me kancer të gjirit, 65 raste me kancer në mushkëri, 140 raste me kancer gastrointestinal, 143 raste me kancer urogjenital dhe 87 raste me kancer në kokë-qafë”, thuhet në raportin e ShSKUK-së.

Sa i përket personelit shëndetësorë, mjekët onkolog kanë realizuar 19 mijë e 495 kontrolle mjekësore gjatë këtij pesë mujori përderisa janë aplikuar 12 mijë e 469 terapi me citrostatikë.

“Në Klinikën e Onkologjisë, në pjesën e parë të këtij viti, pa llogaritur muajin qershor deri tash, janë bërë 528 CT dhe 174 ECHO”, deklarojnë udhëheqës të Klinikës.

E sipas mjekëve kosovar sipas numrit të përgjithshëm të të prekurve me kancer në Kosovë, te gratë prin kanceri i gjirit, derisa te meshkujt ai i mushkërive, ndërkaq mosha mesatare e të prekurve, është rreth 50 vjeç.

Nga hulumtimet dhe të dhënat botërore që i ka prezantuar Bordi Nacional i Kancerit në Kosovë, thuhet se në botë janë 14 milionë raste të reja në vit me kancer, derisa parashihet që deri në vitin 2030, numri i rasteve me kancer të arrijë shifrën prej 21.7 milionë./Nacionale.com