Barrikadat në veri, doganierët e Kosovës mbesin të “ngujuar” në Bërnjak e Jarinje

Rrugët në veri të Kosovës vazhdojnë të mbeten të bllokuara nga grupet serbe të cilat kanë vendosur barrikada  nga 10 dhjetori në shenjë rezistence ndaj  vendimeve të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale dhe mos formimin e Asociacionit.

Si shkak i bllokimit të rrugëve janë mbyllur edhe dy Pikë Kalimet Kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Jarinje e Bërnjak.

Doganierët si shkak i pamundësisë së lirisë së lëvizjes kanë mbetur në Pikat e Kalimit Kufitar që nga mbyllja e rrugëve, raporton Gazeta Sinjali.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës Agron Llugaliu, tha për Gazetën Sinjali,  pas mbylljes së rrugëve në veri të Kosovës, doganierët po punojnë me orare të zgjatura.

Ai tregoi se  doganierët të cilët janë në Pikat e Kalimit Kufitar Jarinje e Bërnjak janë të furnizuar me ushqime, pije e gjësende tjera adekuate për një kohë të gjatë.

“Edhe sot pikat kufitare janë të mbyllura si shkak i sigurisë”, tha drejtori i Doganës së Kosovës.

9 doganierë prej tyre 7 serbë e 2 të nacionalitetit boshnjak dhe 2 punëtorë tjerë kishin dhënë dorëheqje me 10 nëntor të këtij viti, pas vendimit të Listës Serbe që të gjithë serbët në veri duhet t’i braktisin institucionet Kosovës si shkak i heqjes së targave ilegale dhe mos themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe.

Derisa nga Policia e Kosovës nuk janë përgjigjur për ndërrimet e policëve në Pikë Kalimet Kufitare dhe pjesët tjera në Veri të Kosovës.

Por Policia e Kosovës  kanë njoftuar se pas bllokimit të disa rrugëve në veri, përfshirë edhe rrugët nacionale të komunave të Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, është cenuar dhe pamundësuar liria e lëvizjes së lirë të qytetarët dhe mallrt.

Si masë paraprake të sigurisë, përderisa rrugët janë të bllokuara në drejtim të pikë kalimeve kufitare Jarinje e Bërnjak, Policia e Kosovës të njëjtat i ka mbyllur përkohësisht për qarkullim, andaj qytetarët të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim.