E konfirmojnë edhe deputetet e VV-së: Taksa po hiqet, por edhe paga e kryeministrit ulet!

Deputetët e Lëvizjes “Vetëvendosje” kanë konfirmuar se taksa ndaj Serbisë pritet të hiqet duke u zëvendësuar me reciprocitetin.

Deputetja e kësaj partie, nga rajoni i Gjilanit, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni ka deklaruar se heqja e taksës pason edhe me uljen e pagës së kryeminsitrit.

“I pari kryeministër që ndër vendimet e para të tij, vendos uljen e pagës së vet dhe kabinetit të tij. Për dallim të atij tjetrit që ia bëri vetes pagën 3000 euro, me arsyetimin se sa më e lartë paga, mundësitë me vjedhë më të vogla. Ama paska edhe pagë të ulët edhe dinjitet për shtet. Edhe tarifa po hiqet. Shkojmë me reciprocitet”, ka shkruar ajo.

Ndryshe, kryeministri i Republikës, Albin Kurti ka deklaruar gjatë ditës së sotme se tarifa 100% ndaj mallrave të Serbisë do të zëvendësohet me parimin e reciprocitetit.

Sipas tij, tarifa 100% hiqet porsa të vendoset reciprociteti.

“Shumë shpejt fillojmë t’i përgatisim Doganat e Kosovës për këtë. Si Kryeministër i Republikës së Kosovës e kam shprehur vullnetin që ta heqim tarifën 100%. Pres që Serbia të deklarohet se ka vullnet për ndaljen e fushatës për çnjohjet e pavarësisë së Kosovës”, ka deklaruar ai.