E kishin mbushur kombin me cigare, policia arreston dy persona afër Jarinjes

Policia e Kosovës, respektivisht njësitë policore nga Policia Kufitare, gjatë kryerjes së detyrave të patrullimit, me qëllim të parandalimit dhe identifikimit të rasteve kriminale kanë ndaluar një automjet të dyshuar me targa vendore, në të cilin ndodheshin dy persona të dyshuar dhe kishin të ngarkuara në mjet mall/cigare në vlerë të konsiderueshme.

Me datën 06.12.2023 rreth orës 21:10  njësitë kompetente policore në rrugën magjistrale Mitrovicë – Jarinje, konkretisht në fshatin Bistricë, kanë ndaluar automjetin e lartcekur, në të cilin ishin të ngarkuara rreth 6850 boksa të cigareve të 11 llojeve të ndryshme në vlerë rreth 113.000 euro (njëqind e trembëdhjetë mijë euro).

Lidhur me rastin janë njoftuar Hetimet Rajonale, ku janë intervistuar palët e përfshira në rast, dy personat e dyshuar meshkuj kosovarë të cilët dyshohet se kanë pasur për qëllim shitjen e mallit në mënyrë ambulantive në pika të ndryshme të shitjeve në Leposaviq dhe Leshak, mall i cili pas verifikimit ka rezultuar me banderola të Republikës së Kosovës.

Pas konsultimit me prokurorinë e shtetit rasti është cilësuar si ‘tregti e ndaluar’ dhe malli i është dorëzuar Doganës së Kosvës për procedura të mëtutjeshëme.