Disa orë nga hyrja në fuqi e vendimit të ri, nisin qortimet e qytetarëve që nuk po i binden kthimit të targave në RKS

Që disa orë ka nisur së zbatuari vendimi i ri i Qeverisë së Kosovës, në lidhje me targat ilegale të automjeteve në veri të Kosovës. Ky plan do të zbatohet në disa faza dhe parasheh që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm “të hiqen” të gjitha targat që nuk janë RKS.

Periudha e qortimit për qytetarët me targa ilegale do të jetë deri më 21 nëntor e më pas do të hyjë në fuqi periudha e dytë ajo e gjobitjes.

“Për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë të mbajtur më 28 tetor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se qytetarët në veri deri më 31 mars do të mund të përfitojnë lehtësirat tatimore pasi të riregjistrojnë makinat e tyre në RKS. I pyetur se nëse ky vendim nënkupton shtyrje të afatit për targa, ai tha se Kosova nuk e ka shtyrë zbatimin e vendimit, por “ne e kemi përshkallëzuar dhe sekuencuar atë”.

Kurti ka thënë se për planin e ri për targat i ka informuar edhe përfaqësuesit e QUINT-it, me të cilët ka biseduar para mbledhjes së Qeverisë.

Por, pas bërjes publike të vendimit të Kosovës, SHBA-ja dhe BE-ja u shprehën të “zhgënjyera” me mosshtyrjen e afatit për riregjistrim. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar që Kosova të shtyjë afatin për targat për dhjetë muaj.