Detaje nga vrasja e 23-vjeçarit në Mitrovicë: Viktima sapo kishte dalë nga burgu

M.K, 23-vjeçar nga Mitrovica ka gjetur vdekjen pas një përleshje me armë në mbrëmjen e sotme në rrugën  “Bislim Bajgora”  të këtij qyteti.

Indeksonline mëson se personi i vrarë sot, s’kishte shumë kohë që kishte dalë nga burgu.

Ndërkohë nga përleshja me armë në Mitrovicë kanë mbetur të plagosur edhe dy persona të tjerë të cilët po trajtohen në QKUK.

Detaje për vrasjen e këtij të riu kanë dhënë për Indeksonline nga policia rajonale e Mitrovicës.

“Sonte  rreth  orës 22:20, policia  ka marrë informacion për të shtëna  me arme zjarri në  rrugën ‘Bislim Bajgora’ në Mitrovicë.  Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet  e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Sipas policisë, bazuar në të dhënat fillestare, nga arma e zjarrit  janë plagosur tre persona, si pasojë  njëri nga te plagosurit i moshës 23 vjeçare ka vdekur, vdekjen e të cilit e ka konstatuar mjeku, ndërsa dy të plagosurit tjerë janë dërguar në QKUK për trajtim te mëtejmë mjekësor.