Dëshmitari Hoxha thotë se gjatë luftës nuk i ka njohur Time Kadrijajn dhe Safete Hadergjonajn

Dëshmitari Zijadin Hoxha ka thënë se në kohën e luftës nuk i ka njohur, tani deputeten e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijajn dhe ish-deputeten e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Safete Hadergjonaj.

“Jo nuk e njoh. Tani e njoh por në luftë nuk e kam njoftë”, tha Hoxha duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtjes së Pjetër Shalës, përmes avokatit Jean-Louis Gilissen, për Time Kadrijajn.

Ndërsa, për Safete Hadergjonajn, dëshmitari Hoxha tha se tani e njeh pasi që është fytyrë publike.

“Sot e njoh, gjatë luftës nuk e kam njoftë. Është fytyrë publike faktikisht”, tha dëshmitari Hoxha, raporton Betimi për Drejtësi.

I pyetur për një person me mërin Ilir Blakaj, dëshmitari tha se nuk e njeh.

Veç tjerash, avokati Gilissen pyeti dëshmitarin se a ka pasur ndonjë zyrtar apo komandant nga Shqipëria që ka qëndruar në uzinën e metalit në Kukës.

“Me duket ka qenë një, por emrin nuk e di”, tha dëshmitari Hoxha duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Pjetër Shalës.

Ndërsa, për një person me emrin Spiro Butka, dëshmitari tha se nuk e njeh personalisht.

Tutje, dëshmitari tha se ai vetë ka punuar në brendësi të depos në uzinën e metalit në Kukës, konkretisht në riparim.