Deputeti holandez bën thirrje që të votohet për liberalizimin e vizave për Kosovën

Eurodeputeti holandez Thijs Reuten, ka bërë thirrje që të votohet për liberalizmin e vizave për Kosovën.

Këtë të enjte, marrëveshja për liberalizimin e vizave pritet të votohet të Komitetin për Liri Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme të Parlamentit Evropian.

“Pas marrëveshjes së shumëpritur me vendet anëtare të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën dhjetorin e kaluar, ne do të vazhdojmë me atë ritëm në Parlamentin Evropian. Votoni në komisionin e Parlamentit Evropian këtë të enjte”, shkroi deputeti holandez në Twitter.

Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, në takimin e dhjetorit në Bruksel kanë miratuar marrëveshjen e arritur në mes të Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Evropian për liberalizimin e regjimit të vizave për Kosovën.

Pas votimit në LIBE, marrëveshja duhet të votohet edhe në seancën plenare të Parlamentit Evropian.