Edhe dy muaj paraburgim ndaj serbit të dyshuar për sulme ndaj ushtarëve të KFOR-it në Veri

Gjykata Themelore në Prishtinë, ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj serbit Dushan Obrenoviç-it, i cili është i dyshuar për përfshirje në sulme ekstreme dhe të dhunshme ndaj ushtarëve të KFOR-it, policisë dhe gazetarëve në Veri.

Lajmin e kanë konfirmuar nga zyra e gjykatësit të procedurës paraprake, Musa Konxheli për “Betimin për Drejtësi’.

Të njëjtit masa e paraburgimit i ishte vazhduar edhe në muajin qershor.

Edhe më 23 qershor, policia ka arrestuar N.O., apo njohur ndryshe me nofkat si “Nemac” dhe “Rusi”, pasi ka siguruar prova që i njëjti ka sulmuar ushtarët e KFOR-it me 29 maj, në protestën e dhunshme para ndërtesës komunale në Zveçan.

Por, që më pas Gjykata ia kishte zëvendësuar masën e paraburgimit me atë të dorëzanisë në vlerën prej 30 mijë euro.

Situata u tensionua në Veri të Kosovës kur kryetarët e komunave hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë nën asistimin e Policisë së Kosovës, më 26 maj.

Protestuesit serbë e kanë kundërshtuar ashpër këtë vendim, që nga 26 maji ata janë duke protestuar kundër këtij vendimi.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët, gjatë kësaj periudhe mbi 30 gazetarë janë sulmuar nga grupet kriminale të Serbisë.

Tre policë të Kosovës ishin kidnapuar të mërkurën e 14 qershorit nga forcat serbe, brenda territorit të Kosovës, në një nga rrugët e veriut të vendit, që sipas Policisë, shfrytëzohej si rrugë ilegale nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë nga Serbia.

Të njëjtit u liruan të hënën e 19 qershorit.