Dënohet me 1 vit burgim e 5 mijë euro gjobë i dyshuari në rastin e 113 kg heroinë

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor të akuzuarin për mashtrim, Labinot Zenelaj, duke e dënuar me 1 vit burgim me kusht dhe 5 mijë euro gjobë,

Dënimi me kusht ndaj Zenelajt nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale brenda dy vitesh.

Ai akuzohej se kishte mashtruar drejtorin e autosallonit “Alberti”, Bujar Bajrami,duke ia kërkuar çelësat e një BMW, me pretendimin se ai është pranuar i veturës, por në fakt vetura në fjalë ishte në pronësi të të ndjerit N.C.

Dënimin me gjobë në shumë prej 5 mijë euro, i akuzuari Zenelaj është obliguar ta paguajë në afat prej 3 muaj nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Por, nëse nuk e bën një gjë të tillë, kjo gjobë Zenelajt do t’i zëvendësohet në dënim me burgim duke i llogaritur nga 20 euro.

Pas shpalljes së këtij aktgjykimi, mbrojtësi i të akuzuarit Zenelaj, avokati Haxhi Millaku dhe prokurorja speciale Florije Shamolli kanë deklaruar se ndaj këtij aktgjykimi nuk do të paraqesin ankesë.

I akuzuari Labinot Zenelaj ishte i përfshirë si i akuzuar në gjykimin për krim të organizuar lidhur me 113 kg heroinë që po zhvillohet ndaj Xhemal e Sadik Shala, Iskender Sale dhe Alban Gashi.

Mirëpo, ndaj tij gjykata kishte bërë veçimin e procedurës penale, pasi i njëjti kishte shprehur gatishmërinë që të pranojë fajësinë për veprën penale të mashtrimit, që i ngarkohej atij.