Bizneset në Kosovë me mungesë të kuadrove, kërkojnë forcimin e drejtimeve profesionale

Mungesa e kuadrove profesionale në shumë sektorë të ekonomisë, ka bërë që bizneset sërish të alarmojnë institucionet për ndryshimin e politikës arsimore, apo dhënien përparësi regjistrimit të nxënësit në shkollat e mesme profesionale.

Nëse vazhdohet me politikën e deritashme dhe nëse merret parasysh largimi i të rinjve jashtë vendit, bizneset do të mbeten pa kuadrin e nevojshëm, tërheqin vërejtjen nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore.

“Mungesa e kuadrit profesional për nevojat e ekonomisë dhe sektorin e biznesit tashmë një kohë të gjatë paraqet problem serioz dhe me këtë fenomen fare nuk janë marrë institucionet. Kompanitë po përballen me mungesë të kuadrit duke e vënë në rrezik edhe veprimtarinë e tyre. E gjithë kjo është pasojë e sistemit arsimor që aspak nuk i përshtatet nevojave të tregut”.

“Kemi një strategji të gabuar nga Ministria e Arsimit sa i përket konkurseve në arsimin e mesëm, që fare nuk merr parasysh nevojat e sektorit të ekonomisë. Konkurset janë thuajse të njëjta, çdo vit kemi rritje të numrit të nxënësve nëpër gjimnaze, por jo edhe në drejtimet profesionale, të cilat vlerësojmë se janë bërthama për një shoqëri të fortë dhe të zhvilluar ekonomike”, thotë Natasha Janevska, nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore.

Bizneset thonë se kanë mungesë të kuadrit të ndryshëm si teknik makinash, elektricistë, saldator, hidraulik, në industrinë e përpunimit të mishit, të tekstilit, por edhe kuzhinierë, e profesione tjera të rëndësishme për veprimtarinë e tyre.

Në vitin shkollor 2019/2020 në shkollat e mesme janë pranuar rreth 35 mijë nxënës, por pjesa dërrmuese e tyre në gjimnaze, shkollat e mjekësisë dhe drejtime tjera të përgjithshme, ndërsa në drejtimet profesionale numri ka shënuar rënie.

Në Shkup, ku edhe është numri më i madh i shkollave profesionale, janë pranuar vetëm rreth 1.300 nxënës, numër ky thuajse për tri herë më i ulët se ai i viteve të mëparshme.

Drejtuesit e shkollave profesionale kërkojnë që Ministria e Arsimit të ndërmarrë më shumë masa për rritjen e interesimit të nxënësve për drejtimet profesionale.

“Konsideroj se nxënësit shqiptarë duhet të regjistrohen nëpër shkolla profesionale, pasi kërkohen më shumë në tregun e punës, por te ne, nxënësit nuk janë të orientuar ashtu siç duhet, zakonisht shkojnë nëpër drejtimet e përgjithshme, drejtime këto se vlerësoj që nuk kanë perspektivë”, thotë Zekirja Zeqiri, profesor në shkollës profesionale “Boro Petrushevski” në Shkup.

Nga Ministria i Arsimit thonë se kanë ndërmarrë një sërë masash për sensibilizimin e nxënësve që të regjistrohen në drejtimet profesionale, madje si ministri kanë arritur marrëveshje edhe me kompani të ndryshme që pas mbarimit të shkollimit nxënësve, t’u garantohen edhe vende të punës.

“Kemi filluar me zbatimin e konceptit të arsimit të mesëm të dyfishtë. Kjo do të thotë që nxënësit, veç mësimit, do të ndjekin edhe punë praktike te punëdhënësit e tyre me mundësi punësimi menjëherë pas përfundimit të procesit të shkollimit”, thekson Ministri i Arsimit, Arbër Ademi, optimist se kjo metodë, por edhe masat e tjera do të japin rezultate në përmirësimin e gjendjen në arsimin e mesëm profesional në vend.

Në ngritjen e interesit të nxënësve për t’u regjistruar në drejtimet profesionale janë përfshirë edhe organizata të huaja, si Qendra Evropiane për Trajnim, e cila me projekte të ndryshme po mbështet politikat arsimore të Ministrisë Arsimit.