Bideni u kërkon amerikanëve të largohen menjëherë nga Ukraina

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve amerikanë, të cilët ende ndodhen në Ukrainë, që të largohen menjëherë nga ky shtet, duke i përmendur kërcënimet në rritje për veprime ushtarake ruse.

Ai shtoi se nuk do të dërgonte ushtarë të vendit të tij për t’i shpëtuar amerikanët, nëse Rusia e pushton Ukrainën, duke paralajmëruar se “gjërat mund të bëhen të çmendura shpejt” në rajon, shkruan BBC.

“Qytetarët amerikanë duhet të largohen tani. Jemi duke u përballur me njërën nga ushtritë më të mëdha në botë. Është një situatë shumë më ndryshe dhe gjërat mund të bëhen të çmendura shpejt”, tha shefi i Shtëpisë së Bardhë.

I pyetur nëse ka skenar që do të mund ta nxiste atë për të dërguar trupa për t’i shpëtuar amerikanët, presidenti amerikan tha: “Nuk ka. Ajo është luftë botërore, kur amerikanët dhe Rusia fillojnë të shtien ndaj njëra-tjetrit. Jemi në një botë shumë më ndryshe se që kemi qenë ndonjëherë më parë.”

Ndërkohë Rusia dhe Ukraina njoftuan të enjten në mbrëmje se kanë dështuar që të arrijnë ndonjë marrëveshje të rëndësishme në ditën e bisedimeve me zyrtarët gjermanë e francezë me qëllim të përfundimit të konfliktit mes forcave qeveritare ukrainase e separatistëve të përkrahur nga Rusia në lindje të Ukrainës.

Vendet perëndimore ditëve të fundit kanë bërë përpjekje intensive diplomatike për t’i ulur tensionet me Rusinë për Ukrainën. Presidenti francez, Emmanuel Macron, i shkoi Putinit në Moskë, ndërsa të njëjtën gjë pritet ta bëjë javën e ardhshme edhe Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz.

Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss, u takua të enjten në Moskë me homologun rus, Sergei Lavrov. Ata dhanë deklarata të tensionuara para gazetarëve dhe patën kritika të ashpra për veprimet e shteteve të njëri-tjetrit.

Të premten, në Moskë do të qëndrojë edhe sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace. Ai pritet të takohet me homologun rus, Sergei Shoigu. Para këtij udhëtimi, zyrtari i lartë britanik konfirmoi se vendi i tij do t’i ofrojë më shumë pajisje mbrojtëse Ukrainës, përfshirë jelekë anti-plumb dhe helmeta për ushtarët ukrainas.

Ndërkohë ministri i Punëve të Jashtme i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha se Deti Azov është bllokuar plotësisht dhe se Deti i Zi është izoluar pothuajse tërësisht nga forcat ruse. Rusia javën e ardhshme do të mbajë ushtrime ushtarake detare në këto dy dete, të cilat shtrihen në jug të Ukrainës. Autoritetet ruse kanë lëshuar paralajmërime në bregdet për të njoftuar për ushtrimet me qitje me artileri e raketa.