Beteja e shtetit me armët ilegale, 30-vjeçari në Istog kapet me pistoletë në veturë

Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona që posedojnë armë të ndryshme pa leje.

Një rast i tillë është zbuluar gjatë ditës së djeshme në fshatin Banjë të Istogut, ku një njësi policore që po patrullonte në atë zonë, ka ndalur për kontroll një veturë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë kontrollit është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri e cila ishte në pronësinë e drejtuesit të veturës.

30-vjeçari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.

Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“