Policisë do t’i shtohen edhe 450 kadetë

Zëdhënësi i policisë Baki Kelani, ka thënë se nga data 12 prill policisë do t’i shtohen edhe 450 kadetë që do ta ndjekin shkollimin në Akademinë për Siguri Publike.

Kelani tha se varësisht edhe nga nevojat të tjera operacionale organet e rendit do të shpallin sërish konkurse për të plotësuar vendet e lira.

Ai theksoi se kontratat do të nënshkruhen më 6 dhe 7 prill.

“Dje e kemi bërë listën publike, sa i përket konkursit për kadetë që synojnë të shkojnë në akademi. 370 kandidatë të cilët kanë qenë në listë të pritjes për gjeneratën e 57-të, tash janë në pritje që të bëhen gjenerata e 58-të me radhë. Pritet që 450 kadetë të fillojnë më 12 prill”.

“Në bazë të vlerësimeve dhe nevojave policore, pritet që Policia të hapë prapë konkurs për të cilin do të njoftoheni me kohë”.

“Nga nesër, me datë 6 dhe 7, pritet që nga lista të cilën e kemi publikuar dje të vijnë policët ta nënshkruajnë kontratën, të cilën edhe ju si media mund ta përcillni”, tha Kelani në konferencën për media.