Bekim Jashari homazhe në Marinë, në 23 vjetorin e rënies heroike të Mujë Krasniqit dhe 40 dëshmorëve të tjerë

Në nderim të luftës dhe në kujtim të 23 vjetorit të rënies heroike të Komandant Mujë Krasniqi dhe 40 dëshmorëve tjerë, ish-kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari bashkë me asambleistë e bashkëpunëtorë bënë homazhe e nderime në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Marinë.

“23 vite me parë, në një mëngjes të acartë, Komandanti i Brigadës 113 Mujë Halil Krasniqi, bashkë me 40 bashkëluftëtarë të tij, derisa po sillnin armë nga Shqipëria, në vendin e quajtur “Likenet e Hasit”, në Gorozhup të Pashtrikut, pas një beteje me ushtrinë dhe policinë serbe, ranë heroikisht në mbrojtje të vendit për të mos vdekur kurrë.

Komandanti Mujë Krasniqi ishte nder bashkëluftëtarët e parë të Komandantit Legjendar Adem Jashari, me të cilin qëndruan e punuan gjatë bashkë edhe para daljes publike të UÇK-së, vendosmëria e tij për të luftuar deri në çlirim ishte jashtëzakonisht e madhe.
Lavdi dëshmorëve të kombit”, shkruan Jashari në rrjetin social FB.