Banorët e dy lagjeve të fshatit Shtupel pa ujë, kërkojnë zgjidhje urgjente nga institucionet

Banorët e lagjes “Kerellaj” dhe “Temaj” të fshatit Shtupel, në komunën e Klinës, kanë shprehur shqetësimin e tyre për mungesën e ujit, problem që sipas tyre po vazhdon tash e një kohë dhe po përkeqësohet çdo ditë.
Sipas ankesës së dërguar në adresë të Klina.info, banorët janë të detyruar të sigurojnë ujë me makina nga fshatra të tjera, pasi disa shtëpi tashmë kanë mbetur plotësisht pa ujë.

Ata theksojnë se kjo gjendje po e bën jetesën shumë të vështirë, sidomos për familjet me fëmijë, të moshuar dhe persona me probleme shëndetësore.
“Na duhet çdo ditë të sigurojmë ujë me kerre, kjo është e papërballueshme. Disa shtëpi janë veçse pa ujë fare”, thuhet në mesazhin e banorëve.

Sipas tyre, për problemin janë njoftuar edhe institucionet përkatëse, përfshirë Hidrodrinin e Klinës, mirëpo deri më tani nuk ka pasur zgjidhje konkrete.
Banorët shprehen se mungesa e ujit paraqet edhe rrezik shëndetësor, sidomos gjatë sezonit të nxehtë, duke rritur mundësinë e përhapjes së sëmundjeve dhe viruseve.
Ata u bëjnë thirrje institucioneve komunale dhe kompanisë së ujësjellësit që të trajtojnë këtë çështje me prioritet, pasi fshati Shtupel, sipas tyre, po lihet në harresë.

“Ju lutemi të merret parasysh kjo gjendje. Ne po trajtohemi si minoritet dhe po ndjehemi të braktisur”, thuhet në fund të reagimit të banorëve.
Klina.info do të vazhdojë ta ndjekë këtë çështje dhe do të kërkojë përgjigje nga institucionet përgjegjëse.