Ballkani dhe krerët e tij në procedurë disiplinore për incidentin ndaj Dukagjinit

Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ka hapur procedurë disiplinore ndaj klubit të futbollit Ballkani: kryetarit Arsim Kabashi, drejtorit Nderim Nexhipi, trajnerit Ilir Daja dhe menaxherit Idriz Hajrizi.

Në njoftimin e FFK-së thuhet se Ballkani ka dështuar në organizim të ndeshjes ndaj Dukagjinit në fundjavë, ndeshje që përfundoi 1:1 në Suharekë.

“Pas përfundimit të ndeshjes, tifozët vendës kanë hedhur shishe PVC dhe një shishe qelqi në drejtim të referit kryesor dhe asistentëve të tij derisa po shkonin në lokalet zyrtare. Pasi futbollistët e të dy skuadrave kishin hyrë në dhomat e zhveshjes, në tunelin e stadiumit ishin grumbulluar 15/20 persona të paautorizuar (civil), të cilët kishin ofenduar/fyer FFK-në dhe tentuan t’i sulmojnë referët, por falë ndërhyrjes së policisë u evitua incidenti”, shkruan në vendimin e KG-së.

Po ashtu, bëhet e ditur se gjatë largimit nga stadiumi, disa persona të paautorizuar kanë sulmuar lojtarët e Dukagjinit, të cilët sipas njoftimit të FFK-së kishin të veshur uniformën e klubit Ballkani.

“Në ato momente ka intervenuar policia dhe ka evituar pasojat e mundshme nga ky sulm. Për shkak të situatës tejet të tensionuar dhe pamundësisë së largimit nga stadiumi i zyrtarëve të ndeshjes, delegati e referat e ndeshjes, të shoqëruar nga policia, kanë dalë një orë e gjysmë (90 minuta) pas përfundimit të ndeshjes nga stadiumi. Sipas raportit të delegatit të ndeshjes Ballkani-Dukagjini”.

Ndërkohë, kryetari i Ballkanit, sipas raportit të KG-së, ka kërcënuar, fyer dhe ofenduar në baza familjare gjyqtarët e ndeshjes Ballkani – Dukagjini. Gjyqtar kryesor ishte Alban Shala, gjyqtarë anësorë Edmond Zeqiri e Fatmir Sekiraqa, kurse gjyqtar i katërt Valon Bajgora. Në VAR ka qenë Mervan Bejtullahu, kurse AVAR, Fatlum Jashari.

“Pas përfundimit të ndeshjes, në zhveshtore të referëve, ka hyrë kryetari i klubit Arsim Kabashi dhe i ka kërcënuar, fyer dhe ofenduar ata edhe në baza familjare”, shkruan në arsyetim.

Në dhomën e gjyqtarëve sipas njoftimit është futur edhe drejtori Nderim Nexhpi, duke fyer e ofenduar gjyqtarin e VAR-it, Mevan Bejtullahu.

Trajneri Ilir Daja ka akuzuar se Ballkani me qëllim është dëmtuar nga gjyqtarët e ndeshjes.

“Pas shënimit të golit nga ana e mysafirëve, filloi me akuza te gjyqtari i katërt , se komisioni i FFK-së qëllimisht e ka deleguar për ta dëmtuar ekipin e Ballkanit, meqenëse Mervan Bejtullahu është nga qyteti i Gjilanit!. Pas përfundimit të pjesës së parë të ndeshjes, në ambientet e lokaleve zyrtare dhe në prezencë të delegatit të ndeshjes, fillon të ofendojë FFK-në dhe komisionin e saj”, shkruan në njoftimin e KG të FFK-së.

Ndërkohë, menaxheri i Ballkanit, Idriz Hajrizi, siç shkruan FFK-ja, ka tentuar ta godasë gjyqtarin e VAR-it, Mervan Bejtullahun.