REL: Shtyhet ETIAS-i, me të cilin ishte lidhur liberalizimi i vizave për Kosovën

Bashkimi Evropian raportohet se e ka shtyrë funksionalizimin e sistemit ETIAS për në vitin 2024, derisa pritej që kjo të funksionalizohet për 1 nëntor të këtij viti.

Radio Evropa e Lirë raporton se sistemi evropian për autorizim dhe informacion të udhëtimit, është shtyrë për vitin 2024, megjithëse nuk është treguar ndonjë muaj.

Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës ndërkaq, ishte paraparë që të hynte në fuqi jo më vonë se më 1 janar 2024.

Janar 2024?
Më 30 nëntor, ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian u pajtuan për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Për shkak të ndërlidhjes së heqjes së vizave me Sistemin Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit, liberalizimi i vizave për Kosovën pritej që të hynte në fuqi më së largu më një janar të vitit 2024.

“Ekziston një marrëveshje në nivel Këshilli që qytetarët e Kosovës nuk do të kenë nevojë për vizë pasi të jetë funksionalizuar Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), kjo pritet të jetë në nëntor të vitit 2023. Por meqenëse ne donim që qytetarët e Kosovës të kishin një garanci, ne kemi vendosur 1 janar 2024 si datën më të fundit për liberalizimin e vizave. Kjo është më tepër një masë sigurie në rast se ka ndonjë vonesë administrative me ETIAS.” – kishte thënë për Nacionalen përfaqësuesja e përhershme e Çekisë, Edita Hrda.

Çka është ETIAS-i?
ETIAS, sipas uebfaqes zyrtare të saj, është një sistem i informacionit dhe autorizimit të udhëtimit në Bashkimin Evropian.

Ky program është themeluar nga BE për të “mbrojtur dhe përforcuar kufijtë e saj”, me synim për të identifikuar kërcënimet e mundshme që lidhen me vizitorët nga vendet që janë pjesë e hapësirës Schengen.

“Autorizimi i udhëtimit ETIAS do të nevojitet për të hyrë në një vend anëtar të Shchengenit nga ajri, toka ose deti. Nga nëntori 2023, vizitorët që nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në Evropë do të mund të regjistrohen në ETIAS. ETIAS do të bëhet një kërkesë e obligueshme për hyrje.”, shkruhet në uebfaqen e ETIAS.

Tutje, në uebfaqe sqarohet se nëpërmjet këtij sistemi do të autorizohen për vizitë të gjithë personat që vijnë nga vendet e Schengenit e që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian.

“Vendet që përbëjnë këtë rajon specifik, pranojnë heqjen e kufijve të brendshëm me vendet e tjera anëtare. Aktualisht ka më shumë se 50 vende që do të duhet të aplikojnë për heqjen e vizave ETIAS kur vizitojnë zonën Schengen. ETIAS mund të jetë i disponueshëm në më shumë vende në të ardhmen.”, thuhet në faqen zyrtare të ETIAS-it.