Babai i policit të plagosur: Djali më tha se nuk e lë policinë as për tri fakultete!

Babai i policit të plagosur në detyrë mbrëmë në shtëpinë e Iran Badallit në Zhur të Prizrenit po shpreson që djali i tij të bëhet më mirë.

Ganimet Mrasori, babai i Arturit, thotë se djali i tij ishte i përkushtuar në profesionin e policit dhe se nuk do ta ndërronte atë me asnjë tjetër.

Megjithatë babai i tij tha se shteti nuk ka bërë sa duhet për policët edhe pse ky institucion është më i suksesshmi në rajon.

Arturi mori plagë në sy, por mjekët po shpresojnë se do të shërohet, sipas babait.

“Kam shpresa të mëdha se do të bëhet mirë. Djali ka pasë mirënjohje edhe gjithmonë është konsideruar si ndër policët më të mirë”.

Babai i Arturit tregoi edhe një muhabet emocional që e kishte bërë me të para se të shkonte në aksionin që u plagos.

“Dje i pata thënë: Pse bre bir nuk u more me arsim kur fakultetin e ke të kryer? Më tha që policinë nuk e lëshon. Ai gjithmonë e ka dashtë profesionin.

Ai më tha: Babë nëse unë nuk shkoj dhe një i familjes tjetër nuk shkon dhe të ruhemi atëherë kush do ta mbrojë sigurinë e këtij shteti? Për çka sakrifikuam dhe dhamë kaq shumë viktima?”

SHARE