Babai dhe njëri prej djemve shkuan të shpëtonin djalin e mitur, si ndodhi tragjedia e rëndë në plazhin e Kavajës

Një tragjedi ka tronditur mesditën e sotme në plazhin Vilë-Boshtovë.

Babai, Elvis Halilaj dhe dy djemtë e tij të mitur rreth 13 dhe 15 vjeç, janë mbytur në det.

ABC News ka zbuluar detaje më të hollësishme se si ndodhi kjo ngjarje e rëndë.

Media thekson se dallgët ishin shumë të mëdha dhe në fillim kanë rrëmbyer njërin prej djemve dhe babai me djalin tjetër kanë tentuar ta shpëtojnë.

“Për shkak të rrymave të forta që prodhohen në atë zonë përgjatë mesditës, kanë arritur të shkëpusin kontaktet me njëri-tjetrin teksa ndodheshin pranë e pranë. Fillimisht deti ka arritur të rrëmbejë njërin prej fëmijëve, ndërkohë, i ati 50-vjeçar dhe djali 15-vjeçar janë përpjekur për të shpëtuar djalin 13-vjeçar, por në ato momente situata është vështirësuar edhe më tepër, pasi kanë rrezikuar të mbyten edhe vetë, pasi e kanë patur të pamundur të dilnin në breg sepse dallgët i kanë rrëmbyer edhe më thellë. Janë përpjekur edhe personat e tjerë që ndodheshin në plazh për të ndërhyrë, por për shkak të dallgëve atyre u ka munguar guximi për shkak të dallgëve sepse nuk janë profesionistë dhe e kanë patur të pamundur për t’i shpëtuar.

Pak minuta më pas ka ndërhyrë dhe roja bregdetare, e cila ka bërë të mundur gjetjen e trupave të pajetë dhe më pas transportimet e tyre në spitalin e Kavajës, ku po bëhen ekspertizat mjeko-ligjore”, u shpreh gazetari i ABC News.