Sot pritet të arrijnë në Kosovë testet që mund ta detektojnë Omicronin

Konfirmimi i variantit Omicron të koronavirusit shumë shpjet do të kryhet në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), konfirmojnë nga ky institut.

Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, lidhur me këtë çështje, IKSHPK-ja tha se në Kosovë pritet që të arrijnë kitet e testeve PCR, të cilat mund ta detektojnë variantin Omicron të koronavirusit.

“Varianti Omicron i SARS-CoV-2 mund të detektohet me RT PCR test, që në mënyrë specifike e shënjon ndonjë nga mutacionet e S proteinës së SARS-CoV-2. RT dhe PCR kitet e këtilla të porositura nga IKSHPK-ja priten të arrijnë në Aeroportin e Prishtinës më datën 23 dhjetor dhe varet nga procedurat e zhdoganimit se sa shpejt do te arrijnë në IKSHPK”, thuhet në përgjigjen e këtij instituti.

IKSHPK-ja aktualisht i disponon dhe i ka në përdorim teste PCR, të cilat detektojnë tri gjene të ndryshme (S, N dhe ORF) të koronavirusit. Siç sqarojnë nga IKSHPK-ja, deri më tash, “të gjitha mostrat që rezultojnë pozitive në IKSHPK kanë amplifikim të tri gjeneve, përfshirë edhe S gjenin.

Përmes këtyre testeve, aktualisht nuk mund të konfirmohet prania e Omicronit si variant i koronavirusit, por në rast se në testim rezulton se mungon lakorja e S gjenit, atëherë jepet indikacionin se mostra mund të jetë me variantin Omicron dhe kjo është informatë preliminare për praninë e këtij varianti.

Ndërkohë, IKSHPK-ja është duke dërguar mostra pozitive në Gjermani për konfirmimin e pranisë së variantit Omicron. Kosova është ende në pritje të këtyre rezultateve.

Omicron, variant që fillimisht u detektua në Afrikën e Jugut në muajin nëntor, besohet se ka shumë mutacione dhe mund të përhapet shumë shpejt.

Megjithatë, shkencëtarët ende nuk kanë përcaktuar saktë nëse ky variant shkakton sëmundje më të rëndë ose nëse shmang efikasitetin e vaksinave kundër koronavirusit.