Valë e nxehtësisë përfshin vendin gjatë javës

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se gjatë pesë ditëve të javës së ardhshme, do të mbajë mot kryesisht me diell, e ku temperaturat në disa qytete do të arrijnë deri në 37 gradë Celsius.

Sipas institutit, të hënën do të mbajë mot me diell dhe pjesërisht i vranët. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 14-16 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 27- 31gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë nga drejtimi i verilindjes.

Të martën parashihet mot kryesisht me diell. Në fushat termike do të ketë rritje të lehta në vlerat e maksimaleve për 1-2 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë nga drejtimi i verilindjes.

Ndërkaq të mërkurën do të mbajë mot kryesisht me diell. Temperaturat do të shënojnë rritje të lehta në të dy vlerat ekstreme. Do të fryjë erë e lehtë nga drejtimet e ndryshme.

Të enjten do të mbajë mot më i nxehtë. Temperaturat do të shënojnë rritje për 2-3 gradë në të dy vlerat ekstreme. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i juglindjes dhe jugperëndimit.

E premtja do të karakterizohet me temperatura të ngjashme të ditës së enjte. Gjatë pjesës së dytë të ditës do të ketë zhvillim të vranësirave të cilat vende-vende mund të sjellin shira afatshkurta të shoqëruara me shkarkime rrufesh. Gjatë këtyre ndryshimeve do të fryjë erë e lehtë dhe lokalisht e fortë kryesisht nga veriu dhe verilindja. Ky mot me këto temperatura tipike verore është si rezultat i ardhjes së masave të nxehta të ajrit nga Afrika Veriore.

“Shkalla e lartë e avullimeve do të krijojë vapë dhe ndjesia e këtyre temperaturave do të jetë më e lartë sesa vlerat e lartshënuara. Meqë indeksi UV do të jetë shumë i lartë, rekomandohet që të kufizohemi sa më shumë nga rrezet e diellit, nga ora 10-17, sidomos personat me sëmundje kronike, hipertension, diabetikët, asmatikët etje, të bartim syze mbrojtëse nga rrezet e diellit, ombrellë, rroba me ngjyra të lehta, krema adekuate për mbrojtjen e lëkurës, pastaj të pimë ujë sa më shpesh, jo lëngje të gazuara etj.”, thuhet në njoftim.