Astrit Desku: Arsimi në Kosovë ka nevojë për vendimmarrje politike, jo më pilot-projekte

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Astrit Desku, me numër 54 në listën zgjedhore të LDK-së, ka reaguar publikisht lidhur me problemet që, sipas tij, e përcjellin arsimin në Kosovë çdo fillim të vitit shkollor.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Desku ka ngritur dilemat me të cilat përballen prindërit dhe institucionet arsimore, duke përmendur paqartësitë rreth furnizimit me libra shkollorë, aplikimet për subvencione, mungesën e transparencës në ditarë, si dhe barrën administrative që bie mbi prindërit.

Ai ka theksuar se prindërit shpesh mbesin pa informacione të rregullta për vijueshmërinë dhe notat e fëmijëve të tyre, ndërsa proceset administrative, si mbledhja e certifikatave nga një shkollë në tjetrën, vazhdojnë të krijojnë radhë, stres dhe humbje kohe.

Sipas Deskut, këto probleme nuk janë pasojë e mungesës së angazhimit të stafit shkollor, por rezultat i mungesës së një sistemi digjital funksional dhe të unifikuar në arsim.

Ai ka propozuar një vizion ku nxënësit regjistrohen vetëm një herë në një sistem shtetëror të përbashkët, ku ditarët janë elektronikë dhe transparentë, kalimi nga një cikël shkollor në tjetrin bëhet me një klik, ndërsa prindërit informohen në kohë reale për ecurinë e fëmijëve të tyre. Në këtë vizion përfshihet edhe përdorimi i inteligjencës artificiale për mësim të personalizuar dhe qasja në libra digjitalë për të gjithë nxënësit.

“Nuk është vetëm çështje teknologjie, por çështje vullneti politik, llogaridhënieje dhe vizioni shtetëror. Koha e pilot-projekteve ka përfunduar, tani nevojitet vendimmarrje politike”, ka theksuar Desku.

Në fund të postimit, ai ka rikujtuar angazhimin e tij politik si kandidat i LDK-së, me numër 54 në listën zgjedhore.